Uniteti kombëtar – domosdoshmëri, jo dëshirë

06 shkurt 2026 | 15:46

Shkruan: Faton Hasani, aktivist i çështjes kombëtare

Kosova, si asnjëherë më parë, gjendet pranë situatave më komplekse, në një udhëkryq me shumë të panjohura, të cilat mund të sjellin vendime që mund ta dëmtojnë vendin dhe kombin, duke e rrezikuar të ardhmen e shtetësisë sonë. Në raport me këto dy çështje duhet të jemi bashkë si popull, ndërsa spektri politik duhet po ashtu të jetë i unifikuar në tërësi. Unifikimit të spektrit politik duhet t’i prijë Kryeministri z. Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i subjektit më të madh politik në vend.

Të jemi bashkë në mbrojtje të vlerave të shenjta të UÇK-së, të kërkojmë drejtësi dhe jo politikë për çlirimtarët në Hagë; pa ndërhyrje dhe pa pengim të punës së gjykatës, e cila është krijuar nga vetë ne për nxjerrjen e së vërtetës së luftës së lavdishme dhe të pastër të UÇK-së.

Paralajmërimet për zgjidhjen përfundimtare të problemit me Serbinë mund të sjellin opsione të reja në tavolinat e dialogut, të cilat mund të jenë fatale për të ardhmen e vendit. Prandaj duhet të ketë bashkëpunim të plotë mes pozitës dhe opozitës dhe t’i rezistojmë bashkarisht çdo lloj presioni. Krijimi i një ekipi negociator me ekspertë nga të gjitha subjektet politike është më se i nevojshëm. Në veçanti, PDK mund të ofrojë një ndihmesë të madhe në dialog, pasi ka kuadro të dëshmuar në diplomaci dhe politikën e jashtme, pa përjashtuar edhe subjektet e tjera politike.

Ditëve të fundit, media të ndryshme në Serbi dhe, fatkeqësisht, edhe në Kosovë, kanë filluar të sulmojnë ashpër çlirimtarët që po gjykohen në Hagë, në prag të shpalljes së aktgjykimit, duke tentuar të ndikojnë në Gjykatën Speciale. Fatkeqësia është se disa televizione në Kosovë po u japin hapësirë mediale njerëzve që vijnë me qëllime të errëta antikombëtare, të cilat në këtë momentum i shërbejnë narrativës serbe për Kosovën dhe shqiptarët.

Paralelisht, media të caktuara në Serbi dhe Kosovë po tentojnë, përmes luftës hibride, ta paraqesin qeverinë në detyrë dhe Kryeministrin Kurti si pengues të integrimit të serbëve në jetën institucionale, dhe mbi këtë kauzë të ndërtojnë një alibi se populli shqiptar dhe serb nuk mund të jetojnë bashkë, duke u ofruar serbëve autonomi si hap i parë drejt ndarjes së Kosovës.

Institucionet e Kosovës po i luftojnë bandat kriminale serbe dhe terroristët në veri dhe nuk duhet të dorëzohen para asnjë lloj presioni ndërkombëtar. Këtu qeveria duhet të përkrahet nga opozita pa asnjë rezervë. Lufta hibride që po zhvillohet këto ditë nga Serbia dhe satelitët e saj në Kosovë kundër çlirimtarëve në Hagë dhe kundër institucioneve të Kosovës ka një qëllim: ta paraqesë Kosovën si shtet kriminal dhe të paqëndrueshëm.

Andaj duhet të lihen anash inatet politike dhe kalkulimet zgjedhore, për të arritur unitetin e spektrit politik shqiptar dhe unitetin shoqëror. Gjithmonë kur kemi qenë bashkë kemi fituar; të ndarë gjithmonë kemi humbur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së në Llap dhe ish-deputeti i Kuvendit të…