Universiteti i Prishtinës me rregullore dhe kod të ri të etikës për parandalimin e dukurive negative

01 korrik 2025 | 19:56

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e 17-të, të mbajtur më 30 qershor 2025, miratoi njëzëri Rregulloren për punën dhe procedurat e Këshillit të Etikës dhe Kodin e ri të Etikës, bashkë me një komision që do të vendosë dispozita të veçanta në këtë kod për personelin administrativ dhe studentët.

Me këto dispozita, për herë të parë, Kodi i Etikës do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të vlejë për të gjithë individët dhe strukturat përbërëse të UP-së.

Senati miratoi listën preliminare të studentëve të doktoratës për vitin akademik 2025/’26 dhe shpalli konkurs për pozitat e paplotësuara të këtyre studimeve nga afati i parë.

Senatorët shtynë për mbledhjen e radhës ndryshimin e Rregullores për Zyrën e Ombudsperdonit të Universitetit të Prishtinës dhe votuan propozimin për formimin e grupeve të studentëve nëpër fakultete, me kushtin që ai propozim të plotësohet gjatë dhjetë ditëve të ardhshme. U miratuan edhe tema dhe mentorë doktorate të ardhura në Senat nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës.

U aprovuan edhe disa programe studimore të reja dhe ekzistuese që kanë pësuar ndryshime. Këto programe, kishin kaluar më parë edhe filtrat e komisioneve për cilësi dhe studime.

Njëzëri u morën vendimet për thirrje plotësuese për profesorë dhe asistentë të angazhuar, iu vazhdua kontrata asistentëve të angazhuar dhe u angazhuan profesorë vizitorë në disa fakultete të UP-së.

U miratua me vetëm një abstenim edhe vendimi i Këshillit të Etikës për masa disiplinore ndaj disa profesorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shukri Buja do të jetë kandidat për kryetar të Lipjanit…