Universiteti i Sivasit në Turqi shpall ekspozitën ndërkombëtare “Beyond the Human”, me kuratorë Şükran Bulut dhe Rrezeart Galica
Sivas Cumhuriyet University, përmes Fakultetit të Edukimit – Departamenti i Arteve Pamore, ka shpallur ekspozitën ndërkombëtare online “Beyond the Human”, e cila do të zhvillohet nga 15 deri më 25 prill 2026, me rastin e Ditës Botërore të Artit. Ekspozita synon të eksplorojë qasjet bashkëkohore artistike ndaj post-humanizmit, duke vënë në fokus marrëdhënien mes njeriut, teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe kulturës digjitale, si dhe transformimet e vazhdueshme të identitetit njerëzor në epokën moderne. Projekti do të realizohet në format online, përmes kanalit zyrtar në YouTube të universitetit organizator, duke e bërë atë të qasshëm për një audiencë ndërkombëtare. Kuratoria e këtij projekti ndërkombëtar i është besuar Assist. Prof. Şükran Bulut nga Sivas Cumhuriyet University, si dhe dizajnerit grafik dhe kuratorit nga Kosova, Prof. Ass. Dr. Rrezeart Galica, i cili njëkohësisht është ftuar edhe si dizajner i kategorisë profesionale ndërkombëtare për pjesëmarrje në ekspozitë.
Sipas thirrjes zyrtare, pjesëmarrja në ekspozitë është falas, pa nevojë për CV, dhe çdo artist mund të paraqitet me një vepër të vetme, të realizuar në teknika të ndryshme si: art digjital, vepra të asistuara nga inteligjenca artificiale, fotografi, grafikë, mixed media apo pikturë. Veprat duhet të dorëzohen në format digjital, me rezolucion të lartë, deri më 30 mars 2026, ndërsa përdorimi komercial dhe shitja e tyre ndalohet rreptësisht. Organizatorët theksojnë se “Beyond the Human” synon të krijojë një platformë reflektimi kritik dhe dialogu ndërkombëtar mbi të ardhmen e artit dhe njeriut në një realitet gjithnjë e më të ndërmjetësuar nga teknologjia, duke respektuar njëkohësisht standarde të larta etike dhe artistike. Ekspozita përfaqëson një tjetër hap domethënës në bashkëpunimet ndërkombëtare mes institucioneve akademike dhe artistëve nga vende të ndryshme, duke forcuar rolin e artit si mjet reflektimi, komunikimi dhe ndërgjegjësimi global.




