UP dhe Ambasada e Hungarisë diskutojnë mundësinë e hapjes së kursit të gjuhës hungareze
Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbime Akademike e Universitetit të Prishtinës, prof. Rozafa Basha, priti në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Istvan Dux dhe sekretarin e parë të ambasadës, Aron Kerékgyárto.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i mundësisë së sjelljes së një lektori të gjuhës hungareze për të ofruar kurs të gjuhës hungareze në kuadër të Qendrës së Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë dhe potencialisht, hapja e një lektorati të gjuhës hungareze në të ardhmen.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Rektorat në tetor të këtij viti, me ambasadorin Dux ishte diskutuar, ndër të tjera, zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Hungari, si edhe mundësia e ofrimit të kurseve të gjuhës hungareze për studentët tanë.
Takimi i sotëm shërbeu për të konkretizuar këto ide dhe për të shqyrtuar hapat e mundshëm përpara.
Në takim morën pjesë edhe prof. Milote Sadiku, prodekane për bashkëpunim ndërkombëtar në Fakultetin e Filologjisë dhe prof. Lindita Sejdiu, udhëheqëse e Qendrës së Gjuhëve.
Ato prezantuan mënyrën e organizimit të kurseve të gjuhës në qendër, kushtet e punës për lektorët, si dhe aspektet tjera organizative të Qendrës së Gjuhëve.
Palët diskutuan gjithashtu afatet më të përshtatshme për angazhimin e mësimdhënësit dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj nisme.
Qendra e Gjuhëve në Fakultetin e Filologjisë po e zgjeron vazhdimisht ofertën e saj të gjuhëve të huaja, ndërsa UP po forcon më tej bashkëpunimin ndërkombëtar me synim rritjen e mundësive akademike për studentët dhe stafin.



