UP-ja dhe Universiteti Kirklareli i Turqisë arrijnë marrëveshje bashkëpunimi

03 nëntor 2025 | 10:20

Universiteti i Prishtinës nënshkroi javën e kaluar një memorandum bashkëpunimi me Universitetin Kirklareli të Turqisë, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ndërkombëtarizim dhe rrjetëzim.

Sipas memorandumit, të dy universitetet partnere janë pajtuar të rrisin bashkëpunimin në fushat akademike të trajnimeve, kërkimeve shkencore, zhvillimit institucional dhe të kurrikulave, sigurimit të cilësisë dhe shkëmbimit të informatave.

Palët nënshkruese planifikojnë gjithashtu shkëmbim studentësh dhe profesorësh mes fakulteteve të të dy universiteteve në të tri nivelet e studimeve (bachelor, master dhe doktoratë), hartimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe zhvillimin e seminareve, kurseve trajnuese dhe konferencave.

Në takimin që i parapriu nënshkrimit të marrëveshjes, drejtuesit e dy universiteteve u zotuan për zbatimin me përkushtim të të gjitha pikave të memorandumit dhe theksuan rëndësinë e madhe të bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, dhe rektorja e Universitetit Kirklareli, prof. Rengin Ak.

Universiteti Kirklareli ofron studime në fushat e ekonomisë, teknologjisë, inxhinierisë, turizmit, drejtësisë, mjekësisë, arkitekturës etj., dhe çdo vit pranon mbi 20 mijë studentë të rinj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës…