Ura e Fshajt -legjenda për urën e besës dhe fjalës së dhënë

03 janar 00:43

Nga Bera Luzha

Ura e Fshajt ndodhet në fshatin Fshajt të Përdrinisë, komuna e Gjakovës dhe në rrugën Gjakovë – Prizeren, në fundin e kanionit të lumit Drini i Bardhë. Ura është monument i trashëgimisë kulturore, kurse territori përreth Urës dhe kanionit është shpallur zonë e mbrojtur natyrore e karakterit hidro-gjeomorfologjik në sipërfaqe prej 199 hektarësh. Zona e mbrojtur ndodhet në komunat Gjakovë (rreth 74 ha) dhe Rahovec (125 ha), që ka në largësi prej rreth 11 km nga Gjakova, 11 km nga Rahoveci dhe 25 km nga Prizereni.

Gjatë procesit të gjatë gjeomorfologjik, duke kaluar në mes të dy shkëmbinjve gëlqeror, Drini i Bardhë ka formuar një grykë të ngushtë apo një kanion të thellë vertikal. Në dalje nga kanioni, në shek. XVIII është rindërtuar ura monumentale e gurit me një hark, në gjatësi prej 70 m. dhe thellësi 30 m.

Ura ishte shkatërruar plotësisht gjatë Luftës së Parë Botërore dhe është rindërtuar gjatë pushtimit italian në vitin 1942. Kompleksi është vënë në mbrojtje të ligjit në vitin 1986, mirëpo ura është dëmtuar nga forcat serbe gjatë luftës çlirimtare dhe është rregulluar pas luftës nga KFOR-i italian.

Ekzistimi i Urës së Fshajt lidhet me legjendën e flijimit apo murimit të gruas në themelet e kështjellës, të urës etj., sepse, sipas këngës legjendare: “punojmë ditën e marë s’na shkon, diçka natën na e rrëzon”. Legjenda e Urës së Fshajt është motërzim i legjendës për Kështjellën e Rozafës në Shkodër. Ura njihet edhe me emra tjerë, si “Ura e Shejtë”, “Ura e Shejtit”, “Ura e Rozafës”. Ura dhe fshati quhet “e fshajt” apo ”e fshejt” sipas ofshamjeve të gruas gjatë murimit. Gjithashtu, balada për “Urën e Fshajt” paraqitet në disa variante e emërtime, si dhe në shumë motërzime tjera te shqiptarët, por edhe te popujt tjerë të Ilirikut. Legjendat kanë variante të ndryshme dhe syzhe të ngjashme apo të përafërt. Miti për flijimin apo therrorizimin e gruas është një mit pagan që shtrihet te shumë popuj.

Ura ka vazhduar edhe sot të jetë një vend i besimit, një vend ku njerëzit kanë kërkuar e kërkojnë fatet e tyre. Njerëzit në Përdrini e më gjerë kanë besuar e ende besojnë në mitin e urës, në fuqinë e saj qudibërëse, se pelegrinazhi te kjo urë u sjell fat dhe i shëron nga sëmundjet e caktuara. Madje, ndodh që pranë këmbëve të saj të therren kurbane.

Rreth 800 metra në jugperëndim të Urës së Fshajt, në fshatin Ujz ndodhen pesë tuma ilire – nekropoli tumular i periudhës së hekurit (shek. VII – VI p.e.r.), monument i trashëgimisë kulturore arkeologjike. Disa kilometra më larg, në Rogovë të Hasit, po në lumin Drin, ndodhet Ura e Sakarnicës (lat. Sacer, sacrum – e shenjtë) apo Ura e Shenjtë. Kjo urë ishte më e gjatë dhe më e madhe se Ura e Fshajt. Thuhet se balada e murimit të gruas ishte bërë për Urën e Sakarnicës, por, kur u ndërtua “Ura e Fshajt”, edhe balada u zhvendos, u bartë te kjo urë. Kësaj ure antike sot i kanë mbetur vetëm dy këmbët mbi pesë metra të larta, ndërsa trupin e saj e ka marrë lumi gjatë shekujve. Edhe në themelet e kësaj ure thuhet se është flijuar një grua.

Kërcimet tradicionale spektakulare nga Ura e Fshajt në Lumin Drini i Bardhë, në 22 metra lartësi, janë ngjarja më interesante e këtij sporti avanturist te ne, e që përcillet e shikohet nga mijëra njerëz. Tradita e kërcimit, dikur vetëm nga djemtë, sot edhe nga vajzat, tashmë është shndërruar në garë kampionale të përvitshëm, që përkrahet institucionalisht nga komuna dhe ministria. Në këto gara, për fat të keq, Drini ndonjëherë ka ditur të merr haraç jetën e kërcimtarëve të rinj.   

Ura e Fshajt në Drinin e Bardhë i jep pamje të bukur tërë vendit. Zona e Urës, kanioni dhe fusha e gjerë nën urë paraqesin një vend piktoresk për vizitorë, për kalimtarë e për pushues, për plazh lumor dhe për sportistë të notit. Ura e Fshajt, kanioni i lumit Drin dhe zona e mbrojtur tashmë është një pushimore e njohur verore, një pikë turistike dhe një arenë sportive e notit. Aty janë ngritur shtëpiza pushimi, restorante dhe, gjatë fundjavëve, ngriten çadrat e shumta të pushuesve.

Tashmë Ura e Fshajt është njëra nga pikat më të njohura turistike në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë…