Uragani “Harry” godet Mesdheun, alarm i kuq në Italinë jugore dhe Maltë, nis evakuimi i banorëve
Video dhe imazhe dramatike tregojnë fuqinë shkatërruese të uraganit “Harry”, i cili ka përfshirë Mesdheun qendror me fenomene ekstreme, duke shkaktuar probleme serioze dhe fatkeqësi natyrore.
Siçilia, Sardenja dhe Kalabria u vendosën në alarm të kuq, ndërsa uragani goditi Italinë jugore dhe rajonin mesdhetar gjatë orëve të fundit. Autoritetet evakuuan zonat bregdetare, shkollat u mbyllën dhe hyrja në plazhe u ndalua.
Në Siçili, reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje të përhapura, ndërsa erërat e forta dhe dallgët e fuqishme krijuan fenomene të përshkruara si “efekte cunami”, duke mbuluar rrugë dhe sheshe në zonat bregdetare. Si masë paraprake, rreth 190 persona u evakuuan nga banesat e tyre.
Pamje të rralla u regjistruan në Mazara del Vallo, ku dallgët kaluan 8 metra, ndërsa në Catania arritën deri në 5 metra. Në zonën e Mesinës, një pjesë e rrugës bregdetare në Santa Teresa di Riva u shemb, ndërsa sasia e madhe e ujit rriti ndjeshëm rrezikun e rrëshqitjeve të dheut.
Situata ishte po aq kritike në Kalabri. Në qytetin e Crotone-s, dy lagje u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa një pjesë e varrezave të vjetra u shemb. Në Sardenjë, deti depërtoi në zonat e banuara pranë Kaljarit, me rrugë të mbyllura për shkak të përmbytjeve.
Autoritetet meteorologjike theksuan se, ndonëse fenomene të ngjashme janë regjistruar edhe më parë, intensiteti i ciklonit “Harry” ishte veçanërisht i lartë, me erëra që në disa zona arritën deri në 130 km/orë. Kushtet e motit nisën të përmirësohen gradualisht pasditen e së martës, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri.
Sipas Mbrojtjes Civile Italiane, dëmet nga vala e motit të keq që ka goditur Siçilinë kanë tejkaluar gjysmën e miliardit euro.
“Në orët e fundit jemi përqendruar vetëm në operacionet e shpëtimit. Tani ka filluar vlerësimi i dëmeve, të cilat janë të konsiderueshme, veçanërisht në zonat e ishullit pranë Detit Jon”, deklaroi presidenti i rajonit të Siçilisë, Renato Schifani.
Mediat raportojnë se dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin e peshkimit, një shtyllë kryesore e ekonomisë së ishullit, me një numër të pallogaritshëm anijesh të shkatërruara.



