
Uran Ismaili: Asnjë shkollë nuk do të mbetet pa siguri, 200 oficerë të trajnuar do të angazhohen në Prishtinë
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur të enjten një konferencë për medie, ku ka folur për mungesën e sigurisë në shkollat e kryeqytetit. Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe kandidati për Asamble, Fatmir Dervishi, i cili është mësimdhënës në shkollën “Dardania”.
Dervishi ka thënë se gjendja në shkolla është alarmante, me raste të shumta dhune dhe ngacmimesh që ndodhin çdo ditë, ndërsa mësimdhënësit kanë mbetur të vetëm përballë këtij problemi, pa asnjë masë konkrete nga pushteti aktual komunal.
Në këtë kontekst, Ismaili ka prezantuar planin e tij për rritjen e sigurisë në shkolla, duke bërë të qartë zotimin kryesor: vendosjen e 200 oficerëve të trajnuar të sigurisë, që do të angazhohen në shkollat e Prishtinës me rotacion dhe sipas nevojës. Ai sqaroi se këta oficerë do të jenë policë me punë dytësore si dhe policë të pensionuar, të përzgjedhur posaçërisht për këtë detyrë.
“Fokusi ynë do të jetë në shkollat fillore dhe të mesme, aty ku fëmijët kanë më shumë nevojë për mbrojtje, siguri dhe kujdes. Ne duam fëmijë me edukim cilësor, por krahas kësaj edhe siguri dhe mirëqenie për ta”, është shprehur Ismaili.
Ai shtoi se çdo shkollë do të ketë edhe psikologun e saj, pasi nuk mjafton vetëm siguria fizike, por nevojitet edhe kujdesi emocional dhe social për nxënësit. Po ashtu, do të implementohen programe kundër bullizmit dhe dhunës, përmes punëtorive, aktiviteteve dhe fushatave sensibilizuese, duke ndërtuar një kulturë ku respekti dhe mirëkuptimi janë normë.
Një element tjetër i planit është përfshirja e prindërve si partnerë të drejtpërdrejtë në proces. “Ky trekëndësh – Komuna e Prishtinës, prindërit dhe shkollat me oficerët e sigurisë – është çelësi për një Prishtinë të sigurt për çdo fëmijë”, ka thënë Ismaili.
Ai paralajmëroi gjithashtu koordinim të vazhdueshëm mes mësuesve, prindërve dhe komunës për të parandaluar rastet e dhunës dhe për të reaguar më shpejt ndaj çdo rreziku.
“Përveç shtëpisë, shkolla është vendi ku fëmijët tanë kalojnë pjesën më të madhe të ditës. Prandaj është detyrim i yni që ato të jenë të sigurta. Fëmijët tanë meritojnë shkolla ku mësojnë, rriten dhe ndihen të mbrojtur”, ka deklaruar Ismaili.