Uran Ismaili: Do të jem kryetar i Prishtinës për të gjithë qytetarët
Uran Ismaili pas dorëzimit të kandidaturës zyrtare në KQZ për kryetar të Prishtinës ka përcjell një mesazh për qytetarët e kryeqytetit.
Ai ka falënderuar qytetarët e Prishtinës të cilët e kanë mbështetur kandidaturën e tij.
“Javët e fundit, përveç inkurajimit të madh, unë kam pranuar edhe shumë informata, ide, por më e rëndësishmja edhe shumë respekt, dashni e energji pozitive nga qytetarët e Prishtinës. Bujtjet, intervenimet nëpër lagje, diskutimi me qytetarët në çdo lagje, më kanë bërë me kuptu dhe më kanë siguruar që bashkimi rreth Prishtinës është gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë për ta transformuar qytetin tonë”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se për shumë vite me radhë, Prishtina ka qenë e ndarë për interesa financiare dhe politike.
“Prishtina është trajtu si bastion partiak. Dhe kjo është diçka që duhet ta ndryshojmë, fundamentalisht. Me kandidaturën time dua të dërgoj mesazh të qartë se unë dua të jem kryetar i Prishtinës për të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim. Për këtë arsye kam zgjedhë që mesazhi ynë të jetë “Prishtina na bashkon”. Bashkimi, jo ndarja, është rruga jonë. Rruga që edhe unë e kam zgjedhur për Prishtinën”, ka shkruar Ismaili.



