
Uran Ismaili i rikthehet familjes që e vizitoi në vitin 2021 në Kodrën e Trimave: Ndryshimi i vërtetë nis më 12 tetor!
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar vizitat te familjet në të cilat kishte bujtë gjatë fushatës së kaluar; një fushatë që ishte shquar për kreativitetin dhe qasjen e saj të afërt me qytetarët.
Kësaj here, ai u rikthye për një kafe tek familja Havolli në Kodrën e Trimave, për të parë nga afër se çfarë ka ndryshuar në lagje dhe në Prishtinë sipas tyre gjatë këtyre katër viteve.
Banorët shprehën zhgënjimin për mungesën e investimeve në këtë zonë. “Që katër vjet nuk është ndërtuar asgjë, në Kodër të Trimave asgjë. Kështu punë nga Komuna s’ka ndodhë. Ne kemi pritë me ndodhë diçka, por nuk ka ndodhë,” thanë ata, duke përmendur edhe mbylljen e sheshit “Xhorxh Bush”, që sipas tyre ka sjellë kaos në qarkullim.
Ismaili tha se për Kodrën e Trimave dhe për çdo lagje të Prishtinës ka plane konkrete që do të nisin menjëherë pas zgjedhjeve. “Dua të merrem me gjëra që janë të përditshme, praktike. Kam me thy këtë kulturën që premtimi është veç elektoral,” theksoi ai, duke shtuar se synimi i tij është që çdo ndërhyrje të jetë e prekshme dhe në shërbim të qytetarëve.