Uran Ismaili në tubimin e madh: Askush s’mund të hyjë mes meje dhe qytetarëve – bashkë e mbyllim epokën e zhgënjimit

23 korrik 2025 | 21:29

Uran Ismaili në takimin e parë me qytetarët në Sheshin “Adem Jashari”, përveç shpalosjes se zgjidheve të tij për problemet e Prishtinës ai po ashtu tregoi arsyet që e kanë shtyrë të rikandidojë për drejtimin e kryeqytetit.

Para një numri të madh qytetarësh, Ismaili u kthye te momenti i zgjedhjeve të kaluara dhe reagimet e komentet që kishte marrë pas saj.

“Pas fushatës, kudo që më keni pa – edhe ata që më kanë votu, edhe ata që atëherë kanë hezitu, ma keni dhanë një porosi rrugës: ‘Mos u dorëzo’,” tha ai.

Duke u mbështetur në këtë mesazh që e ka ndjekur përgjatë katër viteve të fundit, Ismaili tha se vendimi për të rikandiduar nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë, por buron nga besimi i thellë se Prishtina ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit politikë – një qasje që vendos qytetarin në qendër.

“Prishtinë, unë nuk jam dorëzu. Ti je një për mu. E unë kam me qenë gjithmonë me ty,” u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, Ismaili kritikoi mënyrën sesi është qeverisur kryeqyteti gjatë viteve të fundit, duke theksuar se shumë prej vendimeve janë marrë nga një numër i vogël njërëzish, të mbyllur nëpër zyra, larg nevojave, kërkesave dhe konsultimeve me qytetarët.

“Qytetari i Prishtinës nuk ka qenë në qendër as të investimeve, as të shërbimeve, as të vendimeve,” tha ai, duke shtuar se ajo që i duhet sot Prishtinës është një qeverisje e afërt me qytetarët, që i dëgjon dhe u jep zgjidhje reale problemeve të tyre të përditshme.

Për Ismailin, ky angazhim është vazhdim i një rruge që ka nisur me përkushtim dhe me bindjen se kryeqyteti meriton më shumë.

“Ndjej shpresën e bashkëqytetarëve të mi, që kemi me nxjerr Prishtinën prej këtij kaosi që ka kapluar çdo lagje dhe çdo rrugë. E kjo ma rrit përgjegjësinë edhe mua personalisht.”

Në fund të fjalimit, ai shtoi se ky rrugëtim nuk mund të bëhet vetëm:

“Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Personi i parë me të cilin Luka Misetiq e kishte…