
Uran Ismaili në tubimin përmbyllës: 12 tetori i jep fundit mendësisë së konflikteve!
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës, të fushatës ku para një numri të madh qytetarësh në sheshin “Skënderbeu”, ka dhënë mesazhin e tij të fundit para zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Jemi në një moment vendimtar për kryeqytetin,” tha Ismaili, duke theksuar se qytetarët po zgjedhin mes dy mënyrave të qeverisjes: “Në njërën anë është mendësia e katër viteve të fundit, mendësia e konflikteve, arsyetimeve dhe premtimeve të harruara, që kujtohet për qytetarët vetëm kur afrohen zgjedhjet. Në anën tjetër është mendësia që përfaqësoj unë; ajo e trajtimit të problemeve të përditshme me zgjidhje konkrete, dhe e punës që nuk lë anash asnjë qytetar, asnjë lagje e asnjë fshat.”
Ai theksoi se në thelb të vizionit të tij për Prishtinën është bashkëpunimi dhe përfshirja: “Unë do të ofrojë bashkëpunim me secilin që ka ide të mira për kryeqytetin – jo si kryetar që vjen nga një parti, por si kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës.”
Në mbyllje, Ismaili dha një mesazh të fortë për ndryshim dhe përgjegjësi: “Është koha për një kryetar që nuk fshihet nga premtimet e veta, por i shërben qytetit me nder e me përgjegjësi. Dua që Prishtina të bëhet shembull i bashkëpunimit, i respektit, i punës, i mirësjelljes dhe i përkushtimit. Kjo ka qenë fushata ime, dhe kjo do të jetë qeverisja ime për Prishtinën.”