
Uran Ismaili tubim me gratë dhe vajzat e Prishtinës: Në qeverisjen time 50 për qind do të jenë gra
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur një tubim me gratë dhe vajzat e kryeqytetit, ku ka shpalosur zotimet e tij për një qeverisje lokale që garanton barazi gjinore dhe politika të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ai ka thënë se barazia gjinore nuk është vetëm kauzë e grave por edhe e burrave. Ai po ashtu ka shtuar se në qeverisjen e tij do të zbatohet parimi 50/50 për përfaqësimin gjinor, duke thënë se kjo është një praktikë që e ka aplikuar edhe më herët.
“Gjatë kohës time në Ministrinë e Shëndetësisë kam pasur 60% gra në kabinet dhe 40% burra. Ka qenë kabineti më i balancuar në energji, më produktivi dhe me më pak probleme”, ka kujtuar ai.
Në këtë takim, Ismaili është zotuar për politika konkrete që synojnë barazi të plotë mes grave dhe burrave: buxhetim gjinor, më shumë çerdhe, hapësira për ndërmarrësi, grante dhe subvencione si dhe mundësi plotësisht të barabarta për gratë.
“Qeverisja komunale që 25 vite nuk ka qenë e drejtë me 50% të popullsisë së vet, por tash është koha që këto padrejtësi të kthehen në mundësi për të gjitha gratë e Prishtinës”, ka deklaruar ai.
