
Uran Ismaili u përgjigjet komentuesve: Gratë dhe vajzat pjesë e projektit tonë për Prishtinën
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar serinë e videove ku i përgjigjet komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale.
Në videon e shpërndarë Ismaili lexoi një koment të një qytetari i cili shkruante se nuk kishte parë më herët një angazhim kaq të madh të grave dhe vajzave në Prishtinë. Ismaili e vlerësoi këtë koment si tepër me rëndësi dhe theksoi se në listën e tij për Asamble janë 40% gra – shifër që tejkalon kuotën e kërkuar. “Nuk ka qytet të zhvilluar nëse gratë dhe vajzat nuk marrin pjesë në jetën politike dhe në projektet për qytetin. I ftoj të gjitha vajzat dhe gratë: merruni me qytetin tuaj!” tha ai.
Një tjetër qytetar komentoi se do ta votojë Ismailin vetëm për shkak të zotimit të tij për ndriçimin e qytetit, duke thënë se ndriçimi sjell siguri për të, për gratë dhe për fëmijët. Ismaili u përgjigj duke shpjeguar se rreth 70% e rrugëve të Prishtinës janë të pandriçuara dhe shtoi: “Kam premtuar që 1000 rrugë do t’i ndriçoj brenda dy viteve të para të mandatit tim, dhe këtë do ta realizoj.”
Në fund, Ismaili u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë të komentojnë dhe të ndajnë mendimet e tyre, duke thënë se sa herë të gjej kohë do t’u përgjigjet.