
Urat mbi Ibër, Prattipati: Administrata Trump ishte e qartë, përparësi i jepet sigurisë dhe stabilitetit
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Annu Prattipati, ka folur rreth zhvillimeve aktuale në vend.
Në intervistën për Gazetën Express dhe T7, Pratipatti e ka bërë të qartë qëndrimin amerikan për krizën politike ( ngërçin në formimin e institucioneve), dhe për atë se si duhet të tejkalohet.
Prattipati ka folur edhe për raportet e ShBA-së me Qeverinë Kurti, çështjen e ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër, zgjedhjet e 12 tetorit pjesëmarrjen e Listës Srpska në to dhe qasjen e administratës Trump ndaj Kosovës. “Administrata Trump ka qenë shumë e qartë: përparësi i jepet sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve të drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës ndan këto prioritete dhe angazhohet për paqe e stabilitet, hapen mundësi të mëdha për bashkëpunim”, ka theksuar diplomatja.
Ajo po ashtu ka komentuar rreth hezitimit ndërkombëtar për të ndërhyrë më shumë në proces duke përmendur arsye konkrete për këtë dhe duke u dhënë porosi për krerët e partive.
Diplomatja amerikane në Prishtinë nuk ka preferuar të diskutojë se çfarë mund të jetë aktgjykimi që pritet së shpejti të bëhet publik nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se vendimet e këtij institucioni duhet të respektohen dhe se institucionet duhet të formohen në përputhje me këto vendime.