URIME 8 MARSIN, ADILE!

08 mars 2026 | 10:41

Shkruan: Eltona Ceno Lekaj

 

Të dashura gra dhe vajza!

Çdo mars, natyrshëm pyes veten:

Si e ka emrin liria?

 

Përgjigjen e gjej kudo: në banderola, të shkruara në mure, në emrat e rrugëve, shkollave, lapidarëve dhe përmendoreve.

A ka liria e Kosovës vetëm emra burrash?

 

Liria u përket dhe mban emrin e të gjithëve. Sigurisht, ajo u dedikohet së pari heronjve dhe heroinave, dëshmorëve dhe dëshmoreve, veteranëve dhe veteraneve.

Por u takon edhe atyre që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, si dhe atyre që kanë mbajtur mbi supe peshën e madhe të kësaj lufte: pra njerëzve, popullsisë civile, të cilët u përballën me egërsinë dhe krimin, u dëbuan nga shtëpitë e tyre duke lënë të pavarrosur anëtarë të familjes.

Askush nuk ka dhe nuk duhet të ketë monopolin e kësaj lirie. Mirëpo kjo nuk po ndodh në Kosovën tonë të dashur, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga lufta e fundit.

Lirinë e duam, e gëzojmë dhe e prekim, por nuk jemi të gjithë pjesë e saj. Natyrshëm lind pyetja: pse?

Kur edhe në gjuhën tonë të bukur fjala liri është e gjinisë femërore.

Pa dyshim që ata që rrokën armët dhe derdhën gjak janë kurora e kësaj lirie që po gëzojmë sot dhe meritojnë një vend të veçantë në historinë e popullit shqiptar.  Gjithashtu, komandantët dhe udhëheqësit e UÇK-së, që kanë emrat e tyre të skalitur në historinë dhe memorien mbarëkombëtare dhe që disa prej tyre, për turpin e Perëndimit, po përballen në Hagë me akuza qesharake dhe të ulëta, vetëm e vetëm për të njollosur UÇK-në dhe luftën e drejtë të popullit. Të gjithë e kemi detyrimin moral t’i përkrahim dhe të denoncojmë këtë barazim të gjakatarëve me heronjtë.

 

Por pyetja mbetet:

Po gratë dhe vajzat ku janë?

 

Sa e sa u rreshtuan krah burrave dhe djemve dhe treguan guxim, vendosmëri, vetëmohim dhe trimëri, edhe pse disa në moshë shumë të re.

Pse kjo liri të mos quhet edhe Adile, Yllka, Zahide, Fadile, Blerina, Hidajete etj.?

Pse nuk flitet, ose flitet shumë pak, për sakrificën e këtyre grave dhe vajzave tona?

Atyre që dhanë jetën, atyre që dhanë kontributin e tyre dhe atyre që u keqtrajtuan e u dhunuan seksualisht, por prapë u ngritën në këmbë të forta.

Pse viktimat e dhunës seksuale, që janë të shumta, nuk morën guximin të dalin hapur dhe të rrëfejnë historitë e tyre të tmerrit që përjetuan?

Ato që kanë dalë mund t’i numërosh me gishtat e njërës dorë.

Çfarë i pengoi?

Pse nuk guxuan?

Pse nga rreth 70 buste heronjsh vetëm 4 janë të grave?

Pse 35 175 burra marrin pensionin e veteranit dhe vetëm 3 057 gra?

Pse kaq pak përmendet roli i grave dhe vajzave para luftës, brenda dhe jashtë Kosovës?

Sa e sa gra dhe vajza u burgosën dhe u keqtrajtuan.

Këto përmenden vetëm kur shfaqet ndonjë dokumentar ose regjistrim nga aktiviteti i burrave, pra si prapashtesë e këtij aktiviteti.

Atyre që, në mërgim, krahas obligimeve dhe vështirësive të përditshme, gjetën kohë të dalin në protesta dhe të presin aktivistë për të bashkuar zërin përkrah burrave, në mënyrë që të dëgjoheshin nga bota mbarë.

Pse në tubime, mbledhje, kumtesa etj. nuk ka, ose vetëm me ndonjë përjashtim të vogël, shumë pak veterane apo kontribuuese të luftës?

Pse nuk e shohim asnjëherë L. Muriqin, që në moshë të re la Amerikën dhe erdhi për të luftuar në Kosovë, apo zonjën nga fshati Raushiq i Pejës, e cila hapi gropa me duar për të fshehur municionet e UÇK-së dhe gjatë ofensivës serbe mori gratë dhe fëmijët e fshatit me traktor dhe i largoi?

Kush i përmend viktimat gra dhe vajza të Prelepit, që u vranë dhe u dogjën në një dhomë të shtëpisë bashkë me 23 fëmijë të moshës nga 6 muaj deri në 14 vjeç?

Kush kujtohet për emrin e gruas dhe vajzës që, së bashku me burrin dhe babanë, bënë rezistencë në kullën e tyre në Terstenë të Mitrovicës për të mundësuar largimin e bashkëfshatarëve të tyre?

Apo për një vajzë shumë të re diku në Kosovën qendrore, që në një farë mënyre u bë kurban i egërsisë paramilitare serbe për të shpëtuar familjen dhe fqinjët?

Liria duhet të ketë edhe emrin e këtyre.

Ku janë ato sot?

Me keqardhje për ta thënë, por ato dhe shumë e shumë të tjera, anë e mbanë Kosovës dhe jashtë saj, sot janë veç numra në raporte ose përmenden shkarazi aty-këtu.

Pse u deshën kaq vite për të hapur një ekspozitë me fotografi të vajzave dhe grave të rëna në luftë?

Por “pse”-ja më e madhe, për mendimin tim, është se kur flitet për Familjen Jashari përmenden vetëm burrat e kësaj familjeje.

Ku i lini gratë e kësaj familjeje?

A nuk luftuan dhe ranë edhe ato për liri?

A nuk treguan edhe ato trimëri dhe vendosmëri, a nuk dhanë jetën edhe ato krah burrave?

Sakrifica dhe flijimi i Familjes Jashari shënoi kthesën vendimtare në rrjedhën e luftës së UÇK-së, por ishin edhe gratë e kësaj familjeje që, edhe pse kishin mundësinë të shpëtonin veten dhe fëmijët, zgjodhën të qëndronin përkrah burrave dhe të flijoheshin bashkë me ta për lirinë tonë.

A mban liria edhe emrin e tyre?

Pse përkulemi për to dhe për shumë të tjera vetëm kur shkojmë të bëjmë homazhe te varrezat? Pse nuk këndohet edhe për to?

Ato përmenden vetëm si anëtare të familjes kur flitet për sakrificën e Familjes Jashari.

Deri kur burrat do të përmenden si trima, patriotë, sypatrembur etj., ndërsa gratë si amvisa, punëtore, nëna të mira, motra të përkushtuara, të zonja etj.?

Arsyeja e këtij neglizhimi i ka rrënjët e thella.

Së pari, është patriarkalizmi i madh që mbartim me vete si shoqëri, i kamufluar dhe i justifikuar ndonjëherë në forma shumë të sofistikuara, por gjithsesi i pranishëm. Grua apo vajzë: nënë, motër, nuse, bijë, viktimë – e pas këtij emërori vjen mbiemri: e mirë, e përkushtuar, me marifet, e denjë, apo e vrarë nga burri.

Së dyti, narrativa e luftës është e lidhur me figurën e burrit si ushtar, komandant, hero i lavdishëm, gjeneral i zoti, strateg në luftë dhe pas luftës si politikan, ish-komandant, ish-bashkëluftëtar, vëlla dëshmori.

Së treti, ekziston një neglizhencë totale institucionale për të treguar, dokumentuar dhe për të formuar një zinxhir institucional në ndihmë të viktimave të luftës dhe dhunës, sidomos asaj seksuale, për të dëshmuar se këto gra viktima të luftës – edhe pas luftës e deri sot – nuk janë vetëm numra dhe statistika, por dëshmi të gjalla të asaj që ka ndodhur në Kosovë. Është për t’u përshëndetur veprimi i Presidentes për të mos hyrë në mbledhjen e OKB-së për Kosovën pa praninë e dy grave, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Mesa di, kjo është e vetmja tentativë institucionale, përveç ndonjë rubrike apo emisioni sporadik, për të treguar tmerret e luftës dhe stigmën e pasluftës që edhe sot rëndon mbi supet e tyre. Po të mos ishte rezistenca, sakrifica dhe vetëflijimi i Familjes Jashari në Prekaz, masakrat si ato të Raçakut, Paklekut, Likoshanit, Krushës etj., dëbimi masiv i popullsisë civile, vrasjet dhe dhuna në përmasa gjenocidiale, lufta heroike e UÇK-së nuk do të kishte pasur jehonën që pati dhe nuk do të kishte ndodhur ndërhyrja e NATO-s.

Së katërti, pas luftës, ishin kryesisht burrat ata që patën ambicie politike.  Si shpërblim i sakrificës së tyre, ata morën poste dhe pozita të merituara, por harruan pjesën tjetër të luftës – pikërisht gratë dhe vajzat që po ashtu sakrifikuan.  Edhe pse nuk ishin në numër sa burrat, ishin mjaftueshëm për t’u përfaqësuar.  Burrat morën rolin e tyre të përhershëm si politikanë, burra shteti, firmëtarë etj., ndërsa gratë, vajzat dhe nënat u kthyen në rolin e tyre “natyrshëm” të imponuar.  Disa mbetën të izoluara pasi humbën gjithë familjen, të tjera për shkak të stigmës si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Sa histori të tmerrshme mbajnë mbi supe, pa pasur as sot, 26 vjet pas luftës, kurajën të flasin hapur dhe me krenari se kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë sakrifikuar mjaftueshëm për të qenë pjesë e lirisë së Kosovës.

Po pse është e rëndësishme që t’u jepet vendi i merituar grave dhe vajzave në luftën e fundit?

Sepse ato e meritojnë për atë që kanë dhënë dhe për atë që vazhdojnë të japin edhe sot, si pjesa më vitale e shoqërisë. Po aq e rëndësishme është që historia të shkruhet drejt, në mënyrë që e vërteta të mbetet në kujtesë dhe të trashëgohet brez pas brezi. Njëkohësisht, njohja e kontributit të tyre shërben si burim emancipimi dhe frymëzimi për gjeneratat që vijnë.

Zhvillimi dhe emancipimi i një shoqërie bazohet pikërisht në trashëgiminë e së kaluarës dhe në luftën mendjehapur që bëjmë për të analizuar gabimet dhe lëshimet që kemi bërë.

Trajtimi me dinjitet i rolit të gruas në luftën e fundit dhe pasqyrimi i sakrificës dhe vetëmohimit të saj do të ndikojë drejtpërdrejt në emancipimin e burrave, në hapjen e mendjes së tyre për të mos e trajtuar gruan si pronë, por për t’i dhënë vendin e merituar në shoqëri.

Një matës i mirë i emancipimit të një shoqërie është edhe roli që luan gruaja sot në atë shoqëri.

Në Kosovë ka zhvillime pozitive në pjesëmarrjen e gruas në shoqëri dhe në politikë, por baza e këtij zhvillimi duhet të jetë pikërisht roli i saj në histori, e jo nevoja për t’u dukur si shoqëri e emancipuar.

Një shembull i mirë është fakti që kemi pasur dy presidente gra, si dhe një grup deputetesh që kontribuojnë zëshëm në këtë drejtim.

Një rol të rëndësishëm kanë edhe shoqatat joqeveritare dhe organizatat e grave, të cilat përpiqen të japin kontributin e tyre.

Duke u fokusuar në rolin e gruas në të kaluarën dhe duke i dhënë këtij roli vendin e merituar, do të krijojmë një bazë të fortë për zhvillimin e shoqërisë dhe emancipimin e saj.

Gratë sot nuk janë stoli që zbukurojnë Kosovën në kartolina.  Ato janë një zë i fuqishëm që ka jehonë si nga e kaluara e afërt – roli dhe kontributi i tyre në luftë – ashtu edhe nga angazhimi i tyre sot në shoqëri, politikë dhe vendimmarrje. Prandaj dëgjojeni këtë zë dhe mos e neglizhoni.

Ky zë sot kumbon:

Urime 8 Marsin, Adile, Zahide, Fadile, Yllka… Të lindurit grua nuk ju privon – ju nderon. Ju jeni kartolina më e vërtetë e Kosovës për çdo 8 Mars që ia dërgojmë vetes, dhe na mbush me respekt e krenari që kemi lindur gra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti amerikan i Mbrojtjes më 8 mars 1994 kishte shpallur…