Urime Kosovë, shpirti vital i kombit shqiptar!
Prof. Lisen Bashkurti
Kalendari i vitit 2019 po kthen faqet e tij të fundit. Për Kosovën viti 2019, që po lëmë pas, është përballur me probleme të shumta, por edhe me zgjidhje të mira dhe ngjallje shpresash kuptimplote për mbarë qytetarët e saj.
Prej 11 vjetësh pavarësie, më 2019, Kosova arriti të hedhë hapa të rinj në rrugën për konsolidimin e shtetit të saj, bazuar në parime të larta demokratike, arriti ta thellojë stabilitetin e brendshëm të saj si dhe t’i kontribuonte stabilitetit në nivel rajonal.
Krijimi i forcave të armatosura të Kosovës ishte hap madhor në suazën e institucioneve themelore të Shtetit të Kosovës. Vendosja e taksës 100 për qind për mallrat serbe që hynin në Kosovë, përbëri një situate të re, shumë më të balancuar dhe të avancuar të Kosovës në marrëdhëniet me Serbinë. Ligji për Minierat e Trepçës dhe aseteve të saj ishte një vendim tejet i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës. Këta hapa të hedhur kanë qenë të vështirë, me kundërshti të brendshme dhe ndërkombëtare, por institucionet e Kosovës i tejkaluan me sukses të gjitha.
Gjatë vitit 2019 Kosova realizoi me sukses pavarësinë telekomunikative dhe energjetike nga Beogradi. Një nga të arritjet më të mëdha të pavarësisë telekomunikative për Kosovën është largimi i plotë i kodit të Serbisë që ka funksionuar në Kosovë për një periudhë të gjatë nga telefonia fikse. Tanimë në telefoninë fikse dhe në atë mobile, të gjithë operatorët, qoftë ata të mëdhenj apo të vegjël, zbatojnë në thirrjet nga e gjithë bota në drejtim të Kosovës me kodin e saj. Ky është hap i madh me vlera të shumëfishta, politike, ekonomike dhe sigurie për Kosovën. Nga ana tjetër, lidhja e rrjetit energjetik të Kosovës direkt me Shqipërinë, duke u shkëputur nga varësia e tregut energjetik të Beogradit, është arritje e jashtëzakonshme për rritjen e pavarësisë së Kosovës, por edhe për ekonominë dhe sigurinë e vendit.
Si shtet i pavarur dhe sovran Kosova qartësoi më tej politikën e saj publike, të brendshme dhe të jashtme. Kosova dëshmoi përgjatë vitit 2019 se i merr vetë vendimet e saj, bazuar në kushtetutë, në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve të saj si dhe në pajtim me miqtë dhe aleatët e saj më strategjikë ndërkombëtarë. Koha për tutelë dhe paternalizëm, ngado që tentohet që të vijë, për shtetin e Kosovës ka marrë fund.
Edhe në procesin e gjatë dhe të vështirë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, gjatë vitit 2019 Kosova ka bërë gjithë përpjekjet e saj për vazhdimin e dialogut, por me kushte të reja dhe qasje më të balancuar, mbështetur në Kushtetutën e saj dhe interesat shtetërore dhe qytetare. Nëse në këtë aspekt nuk u shënua kurrfarë përparimi në vitin që po lëmë pas, kjo ka ardhur për shkak të Serbisë, synimeve dhe qëndrimeve të saj haptazi armiqësore kundër pavarësisë së Kosovës.
Politika e Serbisë gjatë vitit 2019 është karakterizuar nga rritja e agresivitetit të saj kundër Shtetit të Kosovës, përpjekjet për bllokimin e integrimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare, ndërmarrja e hapave konspirativë dhe korruptivë për t’i bërë disa shtete që t’i tërheqin njohjet për Kosovën, si dhe taktikat djallëzore direkte dhe indirekte për ta shantazhuar apo izoluar Kosovën përmes nismave si minishengeni ballkanik etj. Pavarësisht nga këto politika dhe taktika të Serbisë dhe disa mbështetësve të saj, kundër pavarësisë së Kosovës, sërish Kosova i përballoi me sukses të plotë ato, duke forcuar akoma më shumë identitetin shtetëror dhe interesin e qytetarëve të saj.
Mbi të gjitha, viti 2019 do të kujtohet si vit i zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Ishin zgjedhje të lira dhe demokratike, që prodhuan një rezultat politik me pritshmëri të larta transformuese për Kosovën. Qytetarët e Kosovës presin nga qeveria e re më shumë për ekonominë dhe punësimin, për sundimin e ligjit dhe forcimin e drejtësisë, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta, për reformën në qeverisje dhe në administratën publike, për transformim në edukim, shëndetësi dhe fusha të tjera.
Qytetarët e Kosovës votuan më 6 tetor edhe për vënien në binarët kushtetues dhe profesionalë të politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Kosovës. Kosova votoi për hapje dhe bashkëpunim me fqinjët, rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar përgjithësisht por, duke u bazuar në parimet për reciprocitetin në marrëdhëniet fqinjësore, rajonale dhe ndërkombëtare, për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit shtetëror dhe të pacenueshmërisë së kufijve dhe tërësisë territoriale të Kosovës.
Gjithashtu, Kosova votoi për pikëpamjen se rruga për çdo iniciativë, si ajo e minishengenit ballkanik, fillon me kërkimfalje nga Serbia për krimet dhe gjenocidin e bërë mbi popullin e Kosovës, vazhdon me njohjen reciproke, më tej ecën me pajtimin, zhvillohet me ngjalljen e respektit të ndërsjellë, shkon më pas drejt normalizimit të përgjithshëm dhe në fund ngrihet në nivelin e miqësisë. Pra, hapat paraprakë drejt bashkëpunimit rajonal, ku bën pjesë Serbia, duhet të nisin falje, respekt, pajtim, normalizim, njohje, miqësi. Gjithashtu, Kosova i qëndron pikëpamjes së drejtë, të dobishme dhe plotësisht të arsyeshme, se pa miqësi fqinjësore midis shteteve të barabartë, pa stabilitet të brendshëm e rajonal, pa sundim të ligjit, pa luftë kundër krimit e korrupsionit, pa respekt për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik nuk mund të ketë nisma eficente, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse ballkanike, duke përfshirë edhe minishengenin rajonal.
Kalendari i vitit 2019 tanimë po kthen faqet e tij të fundit. Për Kosovën viti 2019, që po lëmë pas, ishte përballje me probleme të shumta, por edhe me zgjidhje të mrekullueshme që kanë ngjallur shpresa kuptimplote për mbarë qytetarët e saj. Viti që po vjen, 2020, duket se do të ketë sfida të mëdha për Kosovën. Këto sfida do të vijnë kryesisht nga pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për qeverisjen e re, të votuar më 6 tetor 2019. Urime Kosovë, shpirti vital i kombit shqiptar!
Shkruar enkas për “Epokën e re”



