
USAID-i do të vazhdojë mbështetjen për arsimin në Kosovë
Gjendja aktuale në të gjitha nivelet e arsimit, planet për ta zhvilluar arsimin dhe kontributi i partnerëve zhvillimorë në këtë drejtim, ishin temat kryesore që janë diskutuar në takimin që ka pasur të martën ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me drejtoreshën e Misionit të USAID-it, Lisa Magno dhe zyrtarin për ndërmarrje private dhe përgjegjës për fushën e edukimit dhe rinisë, Matthew Cullinane.
Në këtë takim, është vënë theksi te arsimi dhe aftësimi profesional, respektivisht bashkëpunimi me bizneset, me ç’rast ministrja Nagavci ka thënë se planifikohet rishikimi i programeve, për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës.
Ajo, po ashtu ka thënë se janë duke u shqyrtuar disa modele të sistemit dual të arsimit dhe aftësimit profesional, meqë ky sistem mundëson që nxënësit të krijojnë shkathtësi dhe të jenë kompetent për tregun e punës.
Më tutje, ministrja Nagavci e ka falënderuar drejtoreshën Magno për investimet e shumta që ka bërë dhe po bënë USAID-i në arsim, e të cilat janë shumë të rëndësishme për sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
Ndërsa drejtoresha e Misionit të USAID-it, Lisa Magno, ka konfirmuar gatishmërinë e kësaj organizate për të vazhduar bashkëpunimin dhe premtoi mbështetje për Ministrinë në arritjen e qëllimeve dhe realizimin e planit qeveritar për arsimin.
Gjatë takimit është biseduar edhe për shumë çështje që kanë të bëjnë me trajnimin e mësimdhënësve, zhvillimin e kurrikulave, digjitalizimin në arsim, mbështetjen e të rinjve me bursa për studime jashtë vendit, por edhe për mundësitë e kyçjes më të madhe të diasporës sonë në arsim dhe shkencë në Kosovë.