
Usain Bolt: Rekordet e mia do të thyhen, por jo nga sprinterët e sotëm
Legjenda e atletikës botërore, Usain Bolt, është rikthyer në qendër të vëmendjes në prag të Kampionatit Botëror të Atletikës, ku do të marrë pjesë për herë të parë që prej tërheqjes së tij nga sporti, tetë vite më parë. Në një aktivitet të kompanisë Puma në Tokio, xhamaikani deklaroi se rekordet e tij do të thyhen një ditë, por jo nga brezi aktual i sprinterëve.
“Nuk jam i shqetësuar për këtë. Besoj se talenti ekziston dhe që brezat e rinj do të kenë sukses, por aktualisht nuk mendoj se dikush është gati të thyejë rekordin botëror”, tha Bolt.
Rekordet legjendare të Berlinit
Ishte në Botërorin e Berlinit në vitin 2009 kur Bolt vendosi kohët e papërsëritura: 9.58 sekonda në 100 metra dhe 19.19 sekonda në 200 metra. Një studim i Puma-s ka vlerësuar se sot ai do të kishte arritur deri në 9.42 sekonda, diçka me të cilën Bolt u shpreh dakord: “Me pajisjet e sotme ndoshta do të kisha vrapuar edhe më shpejt. Nëse do ta dija këtë, ndoshta nuk do të isha tërhequr, sepse do të ishte fantastike të garoja në këtë nivel”.
Rivaliteti me Noah Lyles
Noah Lyles, kampion olimpik në Paris 2024 me kohën 9.79 sekonda, ka shprehur shpesh ambicien për të thyer rekordet e Bolt-it. Por ish-sprinteri nuk duket i shqetësuar: “Nuk mendoj se Noah është aq provokues sa Justin Gatlin. Me të kam pasur rivalitet të fortë, shkëmbenim thumbime, por kjo ishte normale atëherë. Unë kurrë nuk i kam kushtuar vëmendje asaj që thoshin të tjerët, sepse kur isha gati, e dija që askush nuk më mposhtte”.
Një vështrim nga e ardhmja
Edhe pse bindet se sot nuk ka kush që t’i thyejë rekordet, Bolt pranon se kjo do të ndodhë në të ardhmen: “Gjithçka në jetë evoluon. Një ditë dikush do të jetë më i shpejtë, dhe nuk do të jetë surprizë”.Ai foli edhe për fenomenin australian Gout Gout, vetëm 17 vjeç, që pritet të garojë në 200 metra në Botëror: “Nëse vazhdon kështu, ka potencial të madh. Por tranzicioni nga junior në senior nuk është i lehtë. Duhet trajneri i duhur, njerëzit e duhur pranë dhe përqendrim maksimal. Vetëm atëherë mund të arrijë majat e botës dhe Olimpiadës”.