UShAF shënon 10-vjetorin e themelimit

16 korrik 2025 | 22:17

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka shënuar 10-vjetorin e themelimit, një ngjarje që simbolizon një dekadë përkushtimi në ndërtimin e një qendre moderne të arsimit të aplikuar në Kosovë. Me këtë rast, Senati i Universitetit vendosi të ndajë mirënjohje për të gjithë kontribuesit që kanë ndihmuar në ngritjen dhe zhvillimin e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Në hapje të ceremonisë, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari përshëndeti të pranishmit me një fjalë të shkurtër, ku ndër të tjera tha: “Ky përvjetor është më shumë se një festë, është dëshmi e vullnetit, sakrificës dhe punës së palodhshme që na solli deri këtu. UShAF është sot një realitet i gjallë dhe një partner i ekonomisë e inovacionit në Kosovë. Falënderojmë me respekt të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim, me theks të veçantë për UÇK-në dhe liderët vizionarë që besuan në këtë ide.”

Ai shtoi se dekada e ardhshme do të fokusohet në forcimin e rolit të UShAF si qendër e dijes, inovacionit dhe zhvillimit profesional, me prioritet ndërkombëtarizimin, transformimin digjital, avancimin shkencor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës studentore.

Në këtë ditë të veçantë, Rektori kujtoi me nderim gjithë rrugëtimin që mundësoi krijimin e këtij institucioni, një rrugëtim që nuk do të ishte i mundur pa lirinë që solli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kontributi i saj u theksua si themeli mbi të cilin u ndërtuan arsimi dhe shtetësia në Kosovë. Me shumë emocione, ai përmendi edhe ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, të cilët, si liderë institucionalë, luajtën rol kyç në themelimin dhe mbështetjen e Universitetit.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe profesorët e pensionuar, të cilët kanë kontribuar në themelimin e UShAF dhe kanë qenë pjesë e fillimeve të para të institucionit. Në emër të tyre foli profesori Isak Jashari, i cili tregoi para të pranishmëve për sfidat që ka kaluar universiteti para se të themelohej, duke përmendur vështirësitë e para dhe përkushtimin e madh për ta bërë realitet këtë projekt.

Gjatë këtyre dhjetë viteve, UShAF ka ndërtuar një profil unik si universitet i orientuar drejt praktikës dhe tregut të punës, përmes modelit të arsimit dual dhe partneriteteve me biznese, programeve moderne të studimit të harmonizuara me nevojat reale të tregut, projekteve ndërkombëtare, si dhe avancimit të stafit dhe angazhimit në rrjete akademike e profesionale.

Universiteti e sheh këtë përvjetor si një pikënisje të re për fazën e ardhshme të zhvillimit, duke u bazuar në përvojën e fituar gjatë këtyre dhjetë viteve dhe në kërkesat në rritje të shoqërisë dhe tregut të punës. Me vizion të qartë dhe synime afatgjata, UShAF synon të forcojë më tej rolin e tij si një institucion modern, inovativ dhe i hapur ndaj bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke qenë gjithmonë në shërbim të studentëve, ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në detyrë tash e 111 ditë –…