Ushqimet e shumëpërpunuara shkaktojnë probleme serioze shëndetësore

16 korrik 2025 | 08:22

Drithërat me ngjyra të ndezura, picat e gatshme që mund të ngrohen në mikrovalë dhe qeset e mëdha me patatina dominojnë gjithnjë e më shumë raftet e supermarketeve.

Por një studim i ri, i publikuar në Nutrition & Metabolism, nxjerr në pah lidhjen alarmante mes këtyre ushqimeve të përpunuara dhe shenjave të hershme të sëmundjeve kronike.

“Mund të ketë të bëjë me përbërësit shtesë, ambalazhin, madje edhe marketingun”, ka thënë Anthea Christoforou nga Universiteti McMaster, që udhëhoqi këtë studim, raporton Earth.

Ushqimet e shumë përpunuara (të cilat njihen me shkurtesën UPFs) janë produkte industriale të dizajnuara për komoditet, jetëgjatësi dhe shije tërheqëse. Këto përfshijnë “snacks” të paketuar, drithëra të përpunuara me sheqer të shtuar, pije të gazuara, supa dhe makarona të shpejta, si dhe ushqime të ngrira e të gatshme.

Për t’i prodhuar, përpunohen intensivisht përbërësit natyralë dhe hiqen lëndët ushqyese, ndërsa shtohen yndyra, sheqerna, ngjyrues, aromatizues artificialë dhe konservues. Rezultati është një produkt që mezi ngjan me ushqimin origjinal, me shumë kalori e fare pak vlera ushqyese.

“Këto ushqime janë ndërtuar për t’i bërë njerëzit të varur prej tyre”, thuhet në raportin e studimit.

Alarmi shëndetësor: inflamacion, shtim në peshë e probleme të tera

Në studimin e McMaster, një nga sinjalet më të forta ishte rritja e proteinës C-reaktive (CRP) – një shenjë e njohur e inflamacionit në trup.

“Këto ushqime po shkaktojnë reagim inflamator. Në një mënyrë, trupi ynë i sheh ato si diçka të huaj”, ka shpjeguar Christoforou.

Një studim tjetër, në një qendër të mjekësore të SHBA-së, ka treguar se pjesëmarrësit që hanin ushqime shumë të përpunuara konsumonin rreth 500 kalori më shumë në ditë, krahasuar me ata që hanin ushqime të papërpunuara me vlera ushqyese të ngjashme.
Brenda vetëm dy javësh, ata shtuan gati një kilogram.

Edhe pas korrigjimit për indeksin e masës trupore (BMI), pjesëmarrësit që konsumonin shumë UPFs kishin nivel më të lartë të insulinës dhe triglicerideve, faktorë rreziku për diabet dhe sëmundje të zemrës.

Marketingu dhe fëmijët: kombinimi që po konsiderohet shqetësues

UPFs nuk janë vetëm ushqime të shpejta e të gatshme, ato janë edhe agresivisht të reklamuara, veçanërisht për fëmijët dhe komunitetet me të ardhura të ulëta.
Që nga personazhet vizatimorë në paketim e deri te etiketat me pretendime për “vitamina shtesë” apo “burim i proteinës”, shumë produkte krijojnë iluzionin e shëndetit, ani se janë të mbushura me sheqer apo kripë.

“Etiketat që fokusohen vetëm në lëndët ushqyese mund të mashtrojnë konsumatorët dhe t’i bëjnë të mendojnë se një produkt i tillë është i shëndetshëm ndërkohë që nuk është”, thuhet tutje në raportin e studimit.

Efekti në zorrë dhe tretje

Një aspekt shpesh i injoruar është si këto ushqime ndryshojnë strukturën fizike dhe kimike të ushqimit. Duke copëtuar fibrat, shtuar emulgator dhe sheqerna, UPFs përshpejtojnë tretjen në mënyrë të keqe, rrisin ngarkesën glikemike dhe shmangin ndjenjën natyrale të ngopjes.

“Ka shqetësime në rritje se këto ndryshime mund të dëmtojnë mikrobiomën e zorrëve, e cila është shumë e rëndësishme për imunitetin dhe metabolizmin”, paralajmëron studimi.

Emulgatorët dhe ëmbëltuesit artificialë mund të çrregullojnë bakteret e mira, duke çuar në inflamacion, rezistencë ndaj insulinës dhe çrregullime metabolike.

Sa më pak ushqime të shumë përpunuara aq më mirë për shëndetin

Lajmi i mirë është se nuk ka nevojë të hiqni dorë menjëherë nga të gjitha UPFs. Edhe zëvendësimi i vetëm një vakti në ditë me fruta të freskëta apo arra të papërpunuara ka treguar se ulë shenjat e inflamacionit.

Dietologët rekomandojnë të nisni me mëngjesin:

-Zëvendësoni drithërat e shumë përpunuara me sheqer me një tas tërshërë të kombinuar me fruta.

-Zgjidhni kos natyral me fruta në vend të kosit të aromatizuar.

-Shmangni pije të gazuara në favor të ujit me limon apo çaj të pa ëmbëlsuar.

“Edhe ndryshimet më të vogla në dietë mund të kenë ndikim të madh në shëndetin afatgjatë. Nuk ka nevojë për perfeksion, vetëm për vetëdije,” përfundon studimi.

Fuqia e vetëdijesimit dhe politikat e barabarta ushqimore

Të dhënat e McMaster kanë treguar se konsumatorët më të mëdhenj të ushqimeve ultra të përpunuara kishin më shumë gjasa të kishin të ardhura më të ulëta dhe arsimim më të kufizuar.

“Rreziqet shëndetësore ekzistojnë pavarësisht nga të ardhurat ose niveli i arsimit. Kjo thekson nevojën për politika ushqimore të barabarta dhe të gjera”, ka thënë bashkautorja e studimit Angelina Baric.

Analizat të tjera kanë parashikuar se ulja e konsumit të UPFs mund të parandalojë mijëra vdekje të parakohshme çdo vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Vankuverit, një nga më të mëdhenjtë dhe…