
Ushtarët e FSK-së rrëmbejnë dy çmime në Kroaci
Togu i Xhenierëve Luftarak nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në garën shumëkombëshe “Dita e Unitetit”, e cila u zhvillua në kuadër të ushtrimit fushor “Defender Europe 25” dhe komponentës së tij “Immediate Response 25”, në Republikën e Kroacisë.
Dy ekipe të xhenierëve të FSK-së morën pjesë në këtë garë sfiduese, ku përballuan prova të rënda fizike, teknike dhe bashkëpunuese, duke u përballur me ekipe të tjera nga Kroacia, Gjermania dhe Sllovenia.
Me një performancë të jashtëzakonshme, ekipet nga Kosova arritën të sigurojnë vendin e parë dhe të tretë në mesin e 15 ekipeve pjesëmarrëse, duke konfirmuar aftësitë profesionale dhe gatishmërinë e lartë operacionale të pjesëtarëve të FSK-së.
Ky është angazhimi i parë jashtë vendit për Togun e Xhenierëve Luftarak, një kapacitet i ri i krijuar në kuadër të FSK-së.
Dislokimi i tyre në Kroaci është bërë në bashkëpunim me Brigadën e Mekanizuar të Forcave të Armatosura Kroate, në një nga stërvitjet më të mëdha shumëkombëshe në Evropë.