
Ushtarët e NATO-s në Kosovë realizojnë misione ajrore për ta forcuar sigurinë dhe bashkëpunimin në veri
Ushtarë nga Shtetet e Bashkuara, Letonia, Polonia, Turqia dhe Gjermania, pjesë e batalionit të manovrës së Komandës Rajonale Lindore të misionit të NATO-s, KFOR, janë duke kryer misione ajrore mbi veriun e Kosovës.
Sipas KFOR-it, këto operacione, të realizuara gjatë ditës dhe natës me njësitë ajrore, ndihmojnë patrullat të arrijnë zona kyçe përgjatë Linjës Administrative dhe njëkohësisht forcojnë ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale të forcave KFOR në rajon.
Aktivitete të tilla është thënë se janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe gatishmërisë së njësive, duke siguruar vazhdimësinë e efektivitetit të KFOR-it në mbështetjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë komunitetet në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, ka njoftuar KFOR-i.