
Ushtarja e lirisë dhe mësuesja e brezave kërkon votën e gjilanasve për asamblenë e Gjilanit
Malikie Ymeri Hoxha, kandidatja me numrin 9 nga radhët e PDK-së, sjell në garën për Asamblenë Komunale të Gjilanit një rrugëtim të gjatë përkushtimi ndaj arsimit dhe atdheut.
Malikie Ymeri Hoxha është një grua që gjithmonë ka jetuar me bindjen se “aty ku e thërret atdheu, aty duhet të jetë”.
Rrugëtimin e saj e ka nisur herët, në vitin 1993, kur arsimi në Kosovë mbahej gjallë falë përkushtimit të mësuesve vullnetarë. Pa pagesë, por me dashuri e përgjegjësi, ajo u përkushtua që drita e dijes të mos shuhej për fëmijët e Kosovës. Ky ka qenë misioni i saj i parë – edukimi i brezave në kohë të vështira.
Kur filloi lufta, Malikie Hoxha nuk qëndroi mënjanë. Ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah për krah me vëllezërit dhe kunatën e saj. Në ato ditë të rënda, dha gjithçka që kishte, sepse siç thotë ajo, “liria nuk fitohet ndryshe”. Ajo periudhë e forcoi shpirtërisht dhe e bëri edhe më të vendosur për të ecur përpara.
Pas përfundimit të luftës, Malikie iu rikthye profesionit që e do më shumë – arsimit. Që nga ajo kohë, çdo ditë i është përkushtuar nxënësve, duke e parë punën e saj jo vetëm si detyrë, por si mision jetësor. Përkushtimi i saj është vlerësuar me mirënjohje e çmime, por ajo thotë se mirënjohja më e madhe mbetet respekti dhe dashuria e nxënësve.
Malikie Hoxha është nënë dhe bashkëshorte. Së bashku me bashkëshortin e saj, Valdetin, kanë rritur dy fëmijë që sot janë studentë të mjekësisë. Ajo shprehet krenare që, përkrah punës dhe angazhimeve të shumta, ka arritur t’i rrisë me dashuri, disiplinë dhe përgjegjësi.
Sot, pas një jete në shërbim të arsimit dhe me një histori të lidhur ngushtë me lirinë e Kosovës, Malikie Hoxha thotë se ka ardhur koha të shërbejë edhe ndryshe.
“Atdheu po më thërret sërish, kësaj here në Kuvendin Komunal. Dua të jem zëri i sinqertë i qytetarëve, të përfaqësoj me ndershmëri hallet, kërkesat dhe ëndrrat e tyre,” thotë ajo.
“Historia ime është e thjeshtë: aty ku ka pasur nevojë Kosova, aty kam qenë. Dhe aty do të jem gjithmonë,” shton znj. Hoxha, e cila është pjesë e ekipit të kandidatit për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti.