
Ushtria amerikane stërvitet për të mbrojtur Kanalin e Panamasë nga kërcënimi kinez
Shtetet e Bashkuara janë stërvitur për mbrojtjen e Kanalit të Panamasë gjatë një stërvitjeje të përbashkët me vendin e Amerikës Qendrore, mes shqetësimeve për praninë në rritje të Kinës në rajon.
Stërvitja, me emrin e koduar PANAMAX-Alpha Phase I dhe e planifikuar nga 13 deri më 18 korrik, ishte hartuar për të “përforcuar përgatitjet për kërcënimet ndaj sigurisë së Kanalit të Panamasë dhe infrastrukturës tjetër strategjike”, sipas Shërbimit Kombëtar Aeronautik të Panamasë.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, paralajmëroi më parë për praninë dhe ndikimin ushtarak dhe ekonomik në zgjerim të Kinës në Hemisferën Perëndimore – një rajon i parë prej kohësh si oborri i ShBA-së, i cili përfshin Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe Karaibet.
Paralajmërimi i shefit të Pentagonit vjen pas pretendimit të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, se Kina “operon” Kanalin e Panamasë, një rrugë ujore jetësore për tregtinë globale. Kanali, të cilin e ndërtoi ShBA-ja, lidh oqeanet Atlantik dhe Paqësor dhe ka qenë nën kontrollin e Panamasë që nga viti 1999.
Duke u përballur me presionin e administratës Trump, CK Hutchison me seli në Hong Kong ra dakord në mars të shiste aksionet e saj në portet e Panamasë në hyrjet e kanalit në Paqësor dhe Atlantik, një konsorciumi të udhëhequr nga amerikanët. Trump më vonë shpalli fitoren mbi blerjen prej 23 miliardë dollarësh.
Task Forca e Përbashkët-Bravo e Komandës Jugore të ShBA-së vendosi tre helikopterë – dy UH-60 Black Hawk dhe një CH-47 Chinook – për stërvitjen, e cila u zhvillua në tre baza ajrore në Panama, sipas Shërbimit Kombëtar Aeronautik të Panamasë.