“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

06 nëntor 2022 | 09:36

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare” është përmbledhja me kumtesa, e sesionit të mbajtur për këtë Ushtri në Institutin Albanologjik të Prishtinës, nga intelektualë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilën e ka përgatitur për botim Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe e cila pritet të botohet pas dy javësh.

Këto kumtesa gazeta “Epoka e re” do t’i botojë një për një pas daljes nga shtypi të librit. Por, se çfarë përmban ky libër, ja parathënia e tij:

“Lexuesve tanë po ua ofrojmë vëllimin e kumtimeve nga sesioni shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, në të cilën u paraqitën më se 20 kumtues me kontributet e tyre.

Studiues nga institucionet e lartpërmendura organizuese, por edhe të tjera (sikundër janë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve i Shkupit, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Akademia e Sigurisë e Tiranës, Universiteti i Evropës Juglindore i Tetovës, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Studimeve të Historisë Ushtarake dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kultu­rës) kumtuan mbi dimensionin kombëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila për shumëkënd përbën vlerën kulmore dhe më me ndikim në histo­rinë e re të kombit shqiptar, përbën lëvizjen e një kombi të organizuar në përpjekjet e tij për liri, organizatën që e kundërshtoi fuqishëm projektin gjenocidial për zhbërjen e kombit shqiptar nga trojet e tij etnike dhe, mbi të gjitha, kjo lëvizje çlirimtare shquhet për luftën e saj të drejtë kundër pushtuesit serb.

Sesioni ishte në vazhdën e aktiviteteve për ta marrë në mbrojtje shkencore vlerën më të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e cila ishte cenuar rëndë nga pretendimet akuzuese për, kinse, krimet që kanë kryer krerëte saj ushtarakë dhe politikë. Qëndrimet e qarta të disa prej institucioneve më të rëndësishme shkencore dhe kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, të për­mbledhura në një deklaratë të nënshkruar nga tetë drejtuesit e tyre, që dolën në mbrojtje të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, sesioni shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare” i ka plotësuar me dimensionin argumentues, të bazuar në fakte të verifikueshme shken­core dhe në dokumentacionin relevant të siguruar nga burime të ndryshme.

Ndonëse për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e saj heroike e çlirimtare, për karakterin e saj mbarëkombëtar, për organizimin, struktu­rën, bashkëpunimin me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, për jeho­nën që pati në opinionin e gjerë botëror etj., është shkruar edhe në të kalu­arën, konsiderojmë se ky vëllim do të jetë një ndihmesë e çmueshme për ta zhdavaritur mjegullnajën e trillimeve dhe për ta saktësuar të vërtetën historike të dëshmuar me faktografinë përkatëse.

Përveç kësaj, botimi i materialeve të sesionit në këtë format është edhe një përpjekje për të krijuar një bashkëpunim në planin e botimeve ndërmjet institucioneve të rëndësishme të Republikës së Kosovës sikurse janë Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe Instituti Albanologjik.

Urojmë që kjo nismë të jetë një ogur i bardhë e paralajmërues për më shumë aktivitete dhe botime të tjera të përbashkëta”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se…