Ushtria po e thellon bashkëpunimin me ShBA-në

27 janar 2019 | 13:45

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka bërë me dije se pas fillimit të tranzicionit të FSK-së, ushtria vetëm po i thellon raportet me ShBA-në.

Ai nuk beson që raportet e Qeverisë me ShBA-në për shkak të taksës për mallrat serbe do të mund të ndikojnë në bashkëpunimin e FSK-së me partnerët e saj strategjikë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se të gjitha përgjegjësitë dhe kapacitetet aktuale të FSK-së që dikur kanë qenë nën përgjegjësinë e KFOR-it, gradualisht po barten te FSK-ja.

Gjenerallejtënant Rama ka bërë me dije se viti i parë i tranzicionit të FSK-së ka të bëjë më tepër me çështje administrative në ministri dhe për ndërtimin e Shtabit të Përgjithshëm, por edhe për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese për misionin dhe mandatin e ri

“Epoka e re”: Z. Gjeneral, sapo keni marrë edhe një mandat për ta drejtuar ushtrinë e Kosovës. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Rama: Për mua do të thotë shumë duke marrë për bazë fazën në të cilën gjendemi si ushtri e Kosovës. Është privilegj dhe nder, njëkohësisht përgjegjësi e madhe. Ne ka një kohë të gjatë që kemi punuar në këtë proces dhe tani veçse kemi filluar zbatimin e ligjeve të reja. Pra, prej 21 janarit kemi filluar tranzicionin tonë të brendshëm.

 “Epoka e re”: Cilat janë objektivat kryesore që synon t’i arrini brenda këtij mandati pesëvjeçar?
Rama: Ne kemi një plan gjithëpërfshirës të cilin kemi ndërtuar me partnerët tanë. Ne do ta respektojmë atë plan. Mund të them se viti i parë ka të bëjë më tepër me çështje administrative të tranzicionit, qoftë në ministri apo për ndërtimin e Shtabit të Përgjithshëm, por edhe për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese për misionin dhe mandatin e ri që kemi. Normalisht se sa është e mundshme që të zhvillohemi, ne do të jemi të angazhuar dhe të përkushtuar, gjithashtu do t’i respektojmë edhe afatet kohore. Gjithmonë dëshira është e madhe, por mundësitë janë më të vogla. Duhet të merremi me çështjen e trajnimit dhe të personelit, pasi ky është prioriteti kryesor. Po ashtu, duhet të merremi edhe me pajisjet dhe infrastrukturën. Të gjitha këto janë elemente që mundësojnë zhvillimin e forcës. Ne kemi planin dhe çdo gjë e kemi të qartë. Do të ndërtojmë një forcë e cila do të jetë kredibile, mirë e trajnuar dhe e pajisur si duhet. FSK-ja do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve.

 “Epoka e re”: Meqenëse tani ka filluar tranzicioni zyrtar i FSK-së në ushtri, cilat janë punët e para që po i bëni?
Rama: Puna e parë që kemi bërë ka qenë zbulimi i pllakës, ku është ndryshuar emri prej ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes. Ne i kemi 120 ditë që janë më tepër punë administrative, si adaptimi i rregulloreve tona me ligjet e reja, në të njëjtën kohë është tranzicioni i ministrisë. Pra, struktura e re e ministrisë dhe struktura e re e Shtabit të Përgjithshëm. Pas 120 ditësh të tranzicionit ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet administrative rreth tranzicionit të këtyre dy institucioneve, që janë bartëse të implementimit të planeve dhe objektivave tona që i kemi për të ardhmen.

“Epoka e re”: Pas këtyre 120 ditësh, kur do të mund të vërehet më shumë në opinion tranzicioni i FSK-së në ushtri?
Rama: Në opinion do të vërehet shumë shpejt sepse në muajin e ardhshëm do ta kemi kampanjën e rekrutimit, ku do t’i marrim 650 rekrutë të ri. Gjysma e këtyre rekrutëve të rinj do të fillojnë në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, pastaj do të fillojnë trajnimet. Pjesa tjetër do t’i kryejë të gjitha obligimet, ku do të bëhet përzgjedhja, kurse trajnimet që janë të parapara do të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm. Kjo bazuar edhe në planin tonë që ne duhet t’i kemi 2 800 trupa aktivë në vitin 2020. Në fakt, ne kemi qenë ushtri, por kemi pasur atë mangësinë ligjore. Natyrisht se në bazë të ligjeve të reja ne do të zhvillohemi. Trajnimet dhe ngritja profesionale janë shumë të rëndësishme për mandatin e ri. Por, kjo natyrisht se do kohë, trajnim, ekspertizë dhe përkrahje nga partnerët tanë. Paralelisht me këto ne do të shkojmë edhe me pajisje, por qëllimi kryesor është që ta përgatisim personelin që t’i përdorim pajisjet që do të kemi në bazë të mandatit të ri. Ne kot mund t’i blejmë pajisjet nëse nuk e kemi personelin e trajnuar që ato t’i përdorim.

 “Epoka e re”: Kur do të fillojë pajisja e ushtrisë me armatimin që i takon sipas mandatit të ri?
Rama: Do të fillojë këtë vit. Këtë vit kemi planifikimin tonë buxhetor, por këto janë çështje pak më të ndjeshme që nuk mund t’i themi të gjitha për publikun. Por, ne nga ky vit jemi në proces të ndryshimeve të rregulloreve dhe do të ketë mundësi dhe hapësirë që ta ruajmë standardin që kemi krijuar deri tani, qofshin ato në sistemin e armatimit, por edhe në automjetet taktike, të blinduara, infrastruktura që duhet të ndërtohet, depot etj. Ne kemi planifikimin e buxhetit, kemi objektivat tona, por kemi edhe planin e projekteve kapitale.

“Epoka e re”: Sfidë për ndërtimin e ushtrisë është përmendur puna e buxhetit. A do të keni buxhet të mjaftueshëm për këtë tranzicion?
Rama: Planet tona janë të harmonizuara me të gjitha institucionet tona, duke përfshirë presidentin, kryeministrin dhe Qeverinë. Bazuar në planin tonë, ne kemi kërkuar prej Qeverisë që 5.5 milionë euro t’i kemi shtesë për çdo vit. Por, edhe planet tona që i përmenda më herët janë fleksibile, varësisht prej situatës dhe mundësive që do të vazhdojmë. Ne kemi përkrahjen e Qeverisë dhe shumë shpejt do të dalim me projekte konkrete dhe varësisht prej mundësive dhe kapaciteteve financiare ne do të furnizohemi.

 “Epoka e re”: Prej fillimit të tranzicionit të FSK-së është ngrehur debati rreth raportit që tash e tutje do ta ketë kjo forcë me KFOR-in. Kur pritet t’i shqyrtoni raportet mes këtyre dy institucioneve?
Rama: KFOR-i është në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244. KFOR-i është partneri ynë dhe ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me të. Kemi pasur bashkëpunim edhe në të kuluarën, kurse tani vetëm sa e kemi thelluar këtë bashkëpunim. Në vitin 2009 është bërë transformimi i TMK-së në FSK dhe këto kapacitete i kemi ndërtuar bashkërisht me NATO-n, ndërkaq në vitin 2013 këto kapacitete janë njoftuar nga ana e NATO-s. Të gjitha këto kapacitete që i kemi aktualisht kanë qenë nën përgjegjësinë e KFOR-it në fillim dhe tashmë janë bartur gradualisht te ne. Edhe ky procesi tjetër, që jemi tani, gradualisht do të bartet. Ne do të jemi të koordinuar me KFOR-in, sepse është partneri ynë. Nuk është në interesin tonë që të kemi çështje të hapura me KFOR-in, duke marrë parasysh se na ka ndihmuar në kohët më të vështira dhe po vazhdon të na ndihmojë tani për ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.  Ne do të jemi transparentë dhe gjithçka do ta bëjmë mbi bazën e koordinimit me aleatët tanë. Unë kam qenë në shumë kryeqytete të botës, duke përfshirë Uashingtonin dhe Brukselin. Qëllimi ynë ka qenë t’i njoftojmë partnerët tanë me planet, idetë dhe zhvillimet që planifikojmë t’i kemi në të ardhmen. Mbi bazën e kësaj transparence ne kemi marrë edhe përkrahjen e partnerëve tanë strategjikë gjatë procesit të tranzicionit.

 “Epoka e re”: Për shkaqe që tashmë dihet, transformimi i FSK-së nuk u përkrah publikisht nga NATO-ja. A ka ndonjë ndryshim të raporteve në mes të NATO-s dhe FSK-së prej fillimit të mandatit të ri?
Rama: Duhet ta kuptojmë se NATO-ja nuk njeh shtete. Vendet anëtare të NATO-s njohin shtete. Po ashtu, duhet ta kemi të qartë se NATO-ja, sa është organizatë ushtarake, është edhe organizatë politike. Dihet botërisht se si i merr vendimet. Fatkeqësisht, katër vende anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën. Ju siguroj se përkrahjen e NATO-s e kemi pasur nga fillimi. Këtë përkrahje e kemi edhe tani. Ne e kemi Ekipin Këshillues të NATO-s këtu në Kosovë, në ministri dhe në forcë. Pra, punojmë bashkërisht me ta. Ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe vetëm do të thellohet pavarësisht prej atyre deklarimeve. Ne e kuptojmë edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, sepse ata duhet ta mbajnë një vazhdimësi të brendshme brenda organizatës, sepse çdo vendim i NATO-s duhet të ketë konsensus. Pra, ne nuk kemi asnjë çështje të hapur. E kemi pasur përkrahjen e tyre dhe do ta kemi edhe në të ardhmen.

 “Epoka e re”: Domethënë, nuk ka kurrfarë ndryshimi të raporteve?
Rama: Absolutisht. Vetëm janë shumë më të angazhuar dhe shumë më të interesuar që të na përkrahin në procesin e tranzicionit.

“Epoka e re”: Moslargimi i taksës për mallrat serbe flitet se mund të ndikojë në raportet Kosovë – ShBA. Është përmendur edhe mundësia e ndërprerjes së ndihmës amerikane për FSK-në. A i frikësoheni kësaj?
Rama: Kjo është çështje politike. Mua nuk më takon ta komentoj. Por, nuk shoh se ka ftohje të bashkëpunimit të institucionit që përfaqësoj me partnerët e jashtëm. Ne kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me ShBA-në. Jemi duke e bërë planin tri deri në pesë vjet se cilat do të jenë aktivitetet tona të përbashkëta me ShBA-në dhe me vendet e tjera që janë partnerë tanë. Ne kemi 14 marrëveshje bilaterale dhe jemi në proces edhe të pesë ose gjashtë marrëveshjeve të tjera. Në këtë drejtim nuk shohim ndonjë problem. Nuk ka asnjë ftohje të raporteve të FSK-së me ShBA-në. Përkundrazi, jemi duke e thelluar bashkëpunimin me këtë partner strategjik, gjithmonë duke marrë parasysh mandatin dhe misionin e ri që do ta kemi.

 “Epoka e re”: Pra, deri më tani kjo nuk ka pasur ndonjë ndikim?
Rama: Deri tani nuk kam parë indikacione të tilla dhe nuk guxojmë as të mendojmë se mund të vijmë në atë pozitë. Pra, nuk kam parë asnjë indikacion të ftohjes së raporteve, por për çdo ditë jemi duke u përkrahur më shumë. Jemi në fazën planifikuese për aktivitetet e përbashkëta që do t’i kemi. Nuk ka asnjë shqetësim për këtë çështje.

 “Epoka e re”: Nuk besoni se këto çështje politike do të mund të ndikojnë në raportet e FSK-së me partnerët e saj?
Rama: Jo. Nuk do të vijmë në atë pozitë. Të jeni të sigurt.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mësimdhënësit në Kosovë do të vazhdojnë grevën në afat të…