
Ushtria ukrainase thotë se janë bllokuar rrugët kryesore të Rusisë për ta sulmuar Kievin
Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë bërë një vlerësim optimist për mbrojtjen e Kievit, duke thënë se dy rrugët kryesore të Rusisë për të sulmuar kryeqytetin, janë bllokuar.
Sipas Oleksandr Hruzevych, forcat ruse në të dy anët e lumit Dnipro, që ndan qytetin nga veriu në jug, janë ndalur, shkruan CNN.
“Nga dita e sotme armiku është ndalur në një distancë prej gati 70 kilometrash (rreth 43 milje) nga bregu i djathtë i qytetit, gjë që e bën të pamundur kryerjen e zjarrit, përveç goditjes me raketa. Në bregun e majtë, përparimi [gjithashtu] është ndalur. Armiku në mënyrë cinike po gjuan objektet tona të infrastrukturës. [Por] mënyrat kryesore të sulmit janë të bllokuara”, tha ai.
Forcat ruse kishin braktisur veprimet sulmuese rreth Brovaryt në verilindje të Kievit, dhe Boryspil në juglindje, tha Hruzevych.
Pas krijimit të dy linjave të mbrojtjes për të mbrojtur kryeqytetin, Hruzevych tha se ushtria e Ukrainës tani “po punonte në forcimin e një linje të tretë dhe më të largët të mbrojtjes”.
Duke adresuar kërcënimin e paraqitur nga raketat e lundrimit, gjenerali i brigadës tha se një sistem i mbrojtjes ajrore ishte ende në funksion rreth Kievit, por pranoi se raketat e kapura mbi qytet ende përbënin një kërcënim.
Një person u vra në një incident të tillë të premten në mëngjes në rrethin veriperëndimor të Podilskyi, tha më herët këshilli i qytetit.