‘Ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht-shteti’
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorim të ligjit dhe Kushtetutës me qëllim të bllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, në mungesë të shumicës për formimin e institucioneve, veprimet e VV-së po e dëmtojnë rëndë demokracinë dhe po e shtyjnë vendin drejt një grushti shteti, duke lejuar individë me mandat të skaduar të vazhdojnë të marrin vendime të paligjshme.
Haradinaj kërkoi t’i jepet fund mashtrimeve dhe bllokadave politike.
Postimi i plotë:
Mënyra e zgjedhur e veprimit politik në emër të keqinterpretimit ligjor dhe kushtetues për konstituimin e Kuvendit nga partia fituese LVV është një kërcënim serioz për demokracinë e vendit tonë.
Me këtë qasje dhe veprime nga LVV si parti fituese, e në mungesë të numrave për krijimin e institucioneve, nga bllokadë institucionale në konstituimin e Kuvendit të Republikës sonë, siç duket po rrëshqasim edhe drejt një grushti shteti, përderisa individë të caktuar (të zgjedhur tashmë si deputetë të rinj), me pushtet të skaduar ligjërisht dhe sipas Kushtetutës, po vazhdojnë me qeverisjen e vendit dhe po nxjerrin vendime të paligjshme.
Ngarkimi dhe ushtrimi i pushtetit pa mandat ligjor e kushtetues nuk mund të quhet ndryshe veçse një grusht shteti. Arsyetimet rreth vakumit institucional, përderisa shteti ka Zëvendëskryeministër, ministra dhe zëvendësministra për secilën ministri, janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë aspak. Mjaft më me mashtrime, bllokime e izolim të vendit.



