Usyk: Ja tri arsyet pse jam ende kampion i pamposhtur 

28 korrik 2025 | 13:20

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk iu rikthye kampionit të padiskutueshëm të peshave të rënda ashtu siç duhej, me një goditje të bukur ndaj Daniel Dubois, duke i marrë sërish të gjithë titujt e këtij Divizioni. 8 nga 9 rivalët e tij të fundit ishin anglezë dhe të gjithë kanë përfunduar me humbje.

“Nuk është asgjë personale, është thjesht sport. Historia ime kundër anglezëve pasqyron nivelin e lartë të boksit të tyre. Dhe kam mbetur në marrëdhënie të mira me shumicën e kundërshtarëve të mi; ata janë djem të mirë dhe luftëtarë fisnikë. Jam mirënjohës ndaj anglezëve për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të vendit tim”, ka thënë Usyk. Duke iu rikthyer fitores ndaj Dubois, ai ka deklaruar: “Pas çdo kampioni, ka tre gjëra: disiplina, pasioni dhe një ekip që e mbështet atë. Pra, mund ta shihni se unë dhe ekipi im i bëmë detyrat e shtëpisë mirë. Ne analizuam ndeshjet e mia dhe të tijat, studiuam situatat që mund të lindnin, identifikuam pikat e forta, të dobëta dhe gabimet. Dhe, bazuar në këtë, zhvilluam strategji. Pastaj i stërvitëm ato dhe i vumë në praktikë”.

“Tani për tani, dua vetëm të kaloj kohë me familjen time. Do t’ia lë Zotit atë që ndodh në të ardhmen”, ka thënë Usyk në lidhje me rivalin e radhës pa përmendur emra dhe më pas shtoi: “Jam i sigurt se Zoti ka planet më të mira të mundshme për mua”.

Duke folur për faktin se është i pamposhtur, ai shtoi: “Jam në kulmin e forcës sime, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Do të luftoj edhe një herë. Pastaj do t’u kushtoj më shumë kohë të dashurve të mi. Nuk kam motivim, kam disiplinë. Gjithçka fillon në mendje. Ajo që bën diferencën është mentaliteti me të cilin përballemi me sfidat më të mëdha”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një periudhe me komente të shumta rreth performancave të…