
Usyk: Kam disiplinë, vetëm amatorët kanë nevojë për motivim
Boksieri ukrainas, Oleksandr Usyk, e ka mposhtur me nokaut britanikun Dubois për të gjithë titujt e botës në kategorinë e rëndë.
Duboisi u nokautua nga Usyku ku fillimisht mori një goditje të fortë në bark nga ukrainasi, e që pas numërimit u çua sërish.
Por, Usyk s’e ndali luftën, ku i dha një goditje tjetër të fortë kundërsharit të tij në nofull, që bëri t’i fluturonte edhe mbrojësja e dhëmbëve.
Gjyqtari Michael Griffi e ndërpreu menjëherë ndeshjen pa përfunduar numërimin.
Boksieri ukrainas, ka folur pas meçit.
Në konferencë për media, ai u pyet nga gazetarët, se si arriti të vazhdonte të garonte me një entuziazëm të tillë në moshën 38 vjeç.
Usyk u tha gazetarëve: “Nuk kam motivim, kam disiplinë”.
“Motivimi është i përkohshëm. Sot e ke, nesër zgjohesh herët dhe nuk e ke më. Kur zgjohem herët në mëngjes për stërvitje, nuk kam kurrë motivim, kam vetëm disiplinë. Vetëm sportistët amatorë kanë nevojë për motivim. Motivimi është i mirë, por disiplina është më e mirë”, deklaroi Usyk.
Mbetet të shihet se kush do të jetë kundështari i radhës për ukrainasin, i cili vazhdon të jetë i pamposhtur.