
Usyk: Kjo është ëndrra ime, vështirë të realizohet
Nuk ka asgjë në boks që Oleksandr Usyk nuk e ka fituar. Ai ishte kampion i padiskutueshëm në peshën “cruiserweight” para se të bënte të njëjtën gjë edhe në peshën e rëndë, duke i fituar të gjitha duelet në karrierën e tij.
Kjo vlen edhe për karrierën e tij amatore, kur ka fituar medaljen e artë olimpike apo të artën në Kampionatin Botëror dhe atë Evropian. Por ukrainasi ka një ëndërr që ai beson se nuk do të jetë në gjendje ta realizojë kurrë. Usyk e di se nuk do të arrijë ndonjëherë të luftojë në vendin e tij si kampion bote. 38-vjeçari nuk beson se lufta në Ukrainë do të ketë mbaruar përpara se të tërhiqet nga sporti.
“Tani mendoj se nuk është e mundur”, ka thënë ukrainasi për “Sky Sports”.
“Rusia lufton me Ukrainën, ka shumë raketa. Unë flas me vajzën time 14 vjeçe. ‘Hej, si jeni?’ ‘O baba, kjo natë ishte e tmerrshme’. Kështu që, të dueloj si kampion bote para fansave të mi nuk besoj se do të realizohet ndonjëherë”, ka deklaruar Usyk.