Vajza e Ismail Kadares rikthen në kujtesë takimin historik të babait të saj me Hashim Thaçin
Vajza e Ismail Kadaresë, Besiana, ka risjellë në kujtesë takimin e babait të saj me ish-presidentin Hashim Thaçin në mars të vitit 1999.
Përmes një postimi në Facebook, Besiana ka ndarë fragmente nga libri i babait të saj, “Ra ky mort e u pamë”, aty ku i ndjeri, Ismail Kadare, përshkruante takimin me Thaçin.
Besiana thotë se edhe ajo ishte e pranishme në atë mbrëmje historike.
Postimi i plotë i Besiana Kadaresë:
Kam qenë edhe unë e pranishme atë mbrëmje historike kur Thaçi erdhi në shtëpinë tonë, në 63 bulevard Saint-Michel (aty ku do të vendoset edhe pllaka përkujtimore), për t’u këshilluar me babin…
18 mars
Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi, shpreh dëshirën të më takojë. Vjen gati në mesnatë me Ramë Bujën dhe përkthyesen e delegacionit, Bukurije Gjonbali. Një copë herë bisedojmë kokë më kokë. Në dhomën tjetër pinë kafe njerëzit e familjes sime, dy shoqëruesit e Thaçit dhe ambasadori shqiptar në Paris. Rojat e policisë së fshehtë franceze janë kudo nëpër shkallët e ndërtesës.
Thaçi është i paqetë. Natyrisht, ka vendosur të nënshkruajë, por ka shumë presione. Në Kosovë, A. Demaçi vazhdon të ngucë pakënaqësira kundër delegacionit, madje t’i quajë tradhtarë. Disa nga komandantët e UÇK-së mund të krijojnë ngatërresa përsëri.
Thaçi përmend letrën që i kam drejtuar delegacionit në Rambouillet, si dhe shkrimin “Kapardisja shqiptare”, që e botova tri ditë më pas. Thotë se ai përpiqet të nxjerrë mësime nga çdo kritikë, por gjendja s’është aq e thjeshtë. Ai më bën një pyetje që është, njëkohësisht, një kërkesë: në rast se sonte e nënshkruante marrëveshjen, unë si shkrimtar shqiptar, a do ta përkrahja atë akt publikisht?
Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja se do ta përkrahja. Madje, qysh në atë çast.
Mbaron biseda kokë më kokë. I ftojmë të gjithë në sallonin e ndenjjes. Jam i gëzuar dyfish. E para, se kjo punë po kryhet. E dyta, sepse në këtë këshillim të luftëtarëve të Kosovës me një njeri të kulturës, shoh një ogur të mirë. Sa shpifje janë bërë kundër UÇK-së. Shpifje nga propaganda serbe, nga gazetat ruse, nga një pjesë e shtypit perëndimor, nga vetë ultrapacifistët shqiptarë.
Kurse ata, me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se, pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një gueriljeje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin europian.
Pak kohë më parë, në shtypin shqiptar, në “Kosova Press” në mos gaboj, kam shprehur mendimin se lëvizja për çlirimin e Kosovës duhet të jetë pjesë e emancipimit europian. Familja e popujve të kontinentit duhet të marrë këtë mesazh. Dhe t’i përgjigjet.
23 mars
Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar, shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi, me ata që ka përbri.
E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në TV.
Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që e mbrojtën, që e deshën. Ëilliam Ëallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve, mikesha jonë franceze, Miriam Gaume. Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa dëshmitarë. E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan e pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë, e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet.
S’ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s’mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtër. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë, qysh se i hynë kësaj rruge. Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë.
Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë.
Fragmente marre nga libri “Ra ky mort e u pamë”, I. Kadare.



