
Vajza e Jakup Krasniqit: Dera e familjes Raci në Holandë është gjithmonë e hapur për familjet e çlirimtarëve
Sahit dhe Nazmije Raci, nga fshati Siqevë i Klinës, jetojnë në Roterdam të Holandës. Shtëpia e tyre ka qenë ndër vite strehë mikpritjeje për shumë familjarë e miq të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, veçanërisht gjatë kohës kur Fatmir Limaj ndodhej në burgun e Sheveningenit. Familjarët e tij, miq, shokë e dashamirë kanë gjetur gjithmonë derën hapur te familja Raci.
E njëjta traditë mikpritjeje vazhdon edhe sot, kur në paraburgim në Hagë ndodhen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerë. Familja Raci mbetet pranë atyre që sot përballen me sfida të mëdha, duke u qëndruar pranë familjarëve të tyre me përkushtim dhe dinjitet.
Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka publikuar së fundmi një fotografi ku shfaqet nëna saj, Sevdije Krasniqi, pranë zonjës Nazmije Raci, duke ngrënë bukë në shtëpinë e kësaj familjeje në Hagë. Ajo ka ndarë një mesazh falënderimi prekës, ku vlerëson mikpritjen dhe mbështetjen e palëkundur të familjes Raci.
“Në çdo udhëtim drejt Hagës, mes dhimbjes, padrejtësisë dhe ankthit që na shoqëron sa herë jemi te babi, është një derë që na pret hapur gjithmonë. Një derë që nuk kërkon asnjë shpërblim, asnjë vëmendje, asnjë titull nderi. Është dera e Sahit dhe Nazmije Racit, që na priten si të ishim pjesë e tyre, me ngrohtësi, me dashuri e me dinjitet.
Larg dritave të kamerave, ata nuk harruan kush e solli lirinë. Nuk harruan se ajo çka kemi sot është falë sakrificave të atyre që dhanë gjithçka, për të ardhmen tonë.
Në një kohë kur shumëkush hesht ose kthen shpinën, ata zgjodhën të qëndrojnë. Sot dua t’i falënderojmë që ishin aty për ne, sa herë që ne patëm nevojë!” – ka shkruar Gresë Krasniqi.
(Në foto; vajza e Jakup Krasniqit, Gresa me bashkëshortin Sadikun)