
‘Vaksina është e sigurt, të moshuarit mbi 80 vjeç do të fillojnë të vaksinohen nga 8 prilli’
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ministri Vitia ka thënë se vaksina që po u jepet punëtorëve shëndetësorë dhe qytetarëve është e sigurt dhe nuk ka efekte serioze.
Vitia ka bërë me dije se nga 8 prilli do të fillojë edhe vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç.
“Nga data 8 e këtij muaji do të fillojë vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare. Vaksinimi po shkon shumë mirë. Qendrat e vaksinimit po vazhdojnë të bëjnë vaksinimin. Nga dita e parë kemi intensifikuar përpjekjet tona për sigurimin e kontingjenteve tjera dhe presim shumë shpejt që ky kontingjent të vjen. Vaksina është e sigurt, nuk ka efekte aspak serioze në asnjë prej atyre që e kanë marrë vaksinën”, ka thënë ai, duke kërkuar edhe njëherë nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj Covid-19.