
Vaksinat kundër Covidit vijnë të mërkurën
Në Kosovë të mërkurën do të sillet një kontingjent me vaksina kundër koronavirusit, sasia e së cilës nuk është bërë me dije, ka njoftuar Komisioniari Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ai ka thënë se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor. Të mërkurën komisionari Varhelyi ka njoftuar se do të vizitojë edhe Shqipërinë.
Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë që nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.
Siç thotë edhe komunikata, vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.
“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe për punëtorët e tyre shëndetësorë, si dhe ata më të rrezikuarit nga pandemia. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Bashkë më të fortë!”, ka thënë ai për uebfaqen e Komisionit Evropian.
Kosova në kontingjentin e parë ka marrë 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit të COVAX-it, ku BE-ja ka kontribuar me 2.5 miliardë euro.