Valët e trurit, inteligjenca artificiale dhe Pink Floyd

06 shkurt 2024 | 08:35

Nga: Linda Geddes

Shkencëtarët kanë rindërtuar një tjetër tullë në mur të Pink Floyd-ëve, duke përgjuar valët e trurit të njerëzve – hera e parë që një këngë e njohur është deshifruar nga regjistrimet e aktivitetit elektrik të trurit.

Shpresa është se kjo mund të ndihmojë në rivendosjen e muzikalitetit të të folurit natyral te pacientët që luftojnë për të komunikuar për shkak të kushteve të paaftësisë neurologjike, si goditja në tru ose skleroza anësore amiotrofike – sëmundja neurodegjenerative me të cilën u diagnostikua Stephen Hawking.

Edhe pse anëtarët e të njëjtit laborator kishin arritur më parë të deshifronin të folurën – madje edhe fjalët e imagjinuara në heshtje – nga regjistrimet e trurit, “në përgjithësi, të gjitha këto përpjekje rindërtimi kanë pasur cilësi robotike”, thotë profesori Robert Knight, neurolog në Universitetin e Kalifornisë në ShBA, i cili kreu studimin me kolegun Ludovic Bellier.

“Muzika, për nga natyra e saj, është emocionale dhe prozodike – ka ritëm, stres, theks dhe intonacion. Përmban një spektër shumë më të madh gjërash sesa fonemat e kufizuara në cilëndo gjuhë, që mund t’ia shtojë një dimension tjetër një dekoderi të të folurit të implantuar”.

Derisa puna e mëparshme ka deshifruar aktivitetin elektrik nga korteksi motorik i të folurit të trurit – një zonë që kontrollon lëvizjet e vogla të muskujve të buzëve, nofullës, gjuhës dhe laringut që formojnë fjalë – studimi aktual përdori regjistrimet nga rajonet dëgjimore të trurit, ku të gjitha aspektet e zërit përpunohen.

Ekipi analizoi regjistrimet e trurit të 29 pacientëve, teksa u luajt një pjesë afërsisht treminutëshe e këngës së grupit Pink Floyd, marrë nga albumi i tyre i vitit 1979, The Wall. Aktiviteti i trurit të vullnetarëve u zbulua duke vendosur elektroda direkt në sipërfaqen e trurit të tyre, teksa ata iu nënshtruan një operacioni për epilepsi.

Më pas, inteligjenca artificiale u përdor për të deshifruar regjistrimet dhe më pas për të koduar një riprodhim të tingujve dhe fjalëve. Edhe pse shumë e mbytur, fraza “në përgjithësi, është veçse një tullë tjetër në mur” vjen në mënyrë të dukshme në këngën e rindërtuar – me ritmet dhe melodinë e saj të paprekura.

“Duket paksa sikur po flasin nën ujë, por është arritja jonë e parë në këtë”, tha Knight.

Ai beson se përdorimi i një densiteti më të lartë të elektrodave mund të përmirësojë cilësinë e rindërtimit: “Ndarja mesatare e elektrodave ishte rreth pesë milimetra, por ne kishim disa pacientë me tri milimetra [ndarje] dhe ata ishin performuesit më të mirë sa i përket rindërtimit”, tha Knight.

“Tani që ne e dimë se si ta bëjmë këtë, mendoj se nëse do të kishim elektroda që do të ishin sa një milimetër e gjysmë larg njëra-tjetrës, cilësia e zërit do të ishte shumë më e mirë”.

Teksa teknikat e regjistrimit të trurit përmirësohen, mund të bëhet gjithashtu e mundur që të bëhen regjistrimet e tilla pa nevojën e operacionit – ndoshta duke përdorur elektroda të ndjeshme të ngjitura në lëkurën e kokës.

Këtë vit, studiuesit e udhëhequr nga Alexander Huth në Universitetin e Teksasit në Ostin, njoftuan se kishin arritur të përkthenin aktivitetin e trurit në një rrjedhë të vazhdueshme teksti, duke përdorur të dhënat joinvazive të skanimit me rezonancë magnetike. Sistemi nuk ishte mjaftueshëm i saktë për të deshifruar si duhet fjalët, por mund të zbulonte thelbin e fjalive.

“Ky [studim i ri] është demonstrim vërtet i mirë meqë shumë teknika të njëjta që janë zhvilluar për dekodimin e të folurit, mund të aplikohen edhe në muzikë – një fushë e nënvlerësuar në fushën tonë, duke pasur parasysh se sa e rëndësishme është përvoja muzikore në tonë jeton”, tha Huth.

“Derisa ata nuk regjistronin përgjigjet e trurit teksa subjektet po imagjinonin muzikën, kjo mund të jetë një nga gjërat për të cilat ndërfaqet e makinerive të trurit do të përdoren në të ardhmen: përkthimi i muzikës së imagjinuar në një gjë reale. Është kohë emocionuese”.

Hulumtimi i publikuar në PLoS Biology zbuloi gjithashtu zona të reja të trurit të përfshira në detektimit e ritmit dhe konfirmoi se ana e djathtë e trurit ishte më e përshtatur me muzikën sesa e majta.

Njohja më e mirë e mënyrës se si përpunohet muzika dhe gjuha, mund të ketë gjithashtu zbatime praktike, të tilla si ndihma për të hedhur dritë mbi misterin se përse njerëzit me afazinë e brokës, të cilët luftojnë për të gjetur dhe thënë fjalët e duhura, shpeshherë mund të këndojnë fjalët pa ndonjë vështirësi. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një portret i ri i Jezu Krishtit ka ofenduar disa…