
Valon Hoti, kandidat i LV-së për kryetar të Malishevës
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Valon Hoti është kandidat për kryetar të komunës së Malishevës.
LV në njoftim thotë se në Malishevë ka ardhur koha për ndryshim.
“Qytetarëve u duhet një komunë që punon ndershëm, qeveris drejt dhe zhvillon çdo lagje e çdo fshat. Valon Hoti është kandidati ynë për kryetar të komunës. Sot, në një takim me strukturat organizative të Qendrës së Lëvizjes në Malishevë, në prani të Kryeministrit Albin Kurti, Sekretarit Organizativ Alim Rama, Koordinatorit të Qendrës Gani Krasniqi, deputetit Salih Zyba dhe ish-deputetes Jetmire Vrenezi, u konfirmua mbështetja e plotë dhe e parezervë për kandidaturën e Valon Hotit për kryetar të komunës së Malishevës”, njoftoi LV.
Gjithashtu, LV shton se “Valon Hoti, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i ardhshëm i komunës, do të punojë për një qeverisje që i jep fund padrejtësive dhe neglizhencës, që hap rrugë të reja zhvillimi për bujqit, ndërmarrësit dhe të rinjtë, dhe që i rikthen komunës dinamikën dhe besimin”.
“Me Valonin kryetar dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! në qeverisje, ndërlidhja komunë-qeveri do të funksionojë siç duhet, duke sjellë projekte të reja për Malishevën. Urime të gjithë aktivistëve dhe qytetarëve të Malishevës! Le të punojmë për çdo orë të mbetur, në çdo lagje e çdo fshat, për fitoren e madhe të 12 tetorit”.