Valon Kryeziu jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së në Suedi, mbetet aktiv në parti
Valon Kryeziu, një nga aktivistët më të angazhuar dhe më të respektuar të Partisë Demokratike të Kosovës në diasporë, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryetarit të PDK-së në Suedi.
Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në “Facebook” vet Kryeziu.
“Sot, si akt proteste politike ndaj mënyrës së papërgjegjshme, arrogante dhe përjashtuese me të cilën udhëheqja e PDK-së ka trajtuar mërgatën, kam dhënë Dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryetarit të PDK-së në Suedi! Kontributi i mërgatës është shfrytëzuar, ndërsa zëri i saj është injoruar. Ky nuk është keqkuptim – është politikë e qëllimshme përjashtimi. Dega e PDK-së në Suedi është lënë në mëshirë të fatit. Pa mbështetje, pa komunikim dhe pa asnjë interesim nga strukturat qendrore. Megjithatë, dua të jem i qartë: nga Partia Demokratike e Kosovës nuk largohem, do vazhdoj të jem anëtar i PDK-së, sepse konsideroi se partia nuk është pronë e individëve apo e grupeve të mbyllura, por e anëtarësisë dhe e atyre që ende vazhdojnë të besojnë në vlerat e saj. PDK ka nevojë për reforma të thella, reale dhe të menjëhershme, duke filluar nga maja e deri te strukturat më të ulëta. Pa këto ndryshime, partia do të vazhdojë të humbasë besimin e qytetarëve dhe të mërgatës sonë”, ka shkruar Kryeziu.



