Vargje për një grua që është herë zanë herë engjëll

25 maj 2023 | 15:05

Pal Ndrecaj

Për librin “Asaj ia kam vjedhur vargjet” të Emin Z. Eminit, “Shkrola”, Prishtinë, 2016

Emin Z. Eminin e kam njohur përmes Moirës, një zonjë me elegancë e stil të veçantë, e vrarë në shpirt e vrasëse shpirtrash, të cilën Emini e ka vizatuar me ngjyrat e shpirtit të tij, me ngjyrat e përziera: të dashurisë, të nderimit, të adhurimit, të dhembjes, të gëzimit, të mërzisë, të humbjes, të fitores, me një fjalë me ngjyrat që pikturohet vetëm kulti. Moira është kult. Para këtij kulti poeti është besimtar i devotshëm dhe falet me tërë qenien. Moira është Zanafilla, “para saj çdo gjë ishte e zbrazët”, bile “as zbrazëtia nuk ekzistonte, se m”ë Emini hiq. Ai u shfaq befas, mrekullisht befas, “kur e ndjeu në brinjë” Moiren. Si dy njerëzit e parë. Poeti falet para saj, pastron shpirtin e vet në pastërtinë e saj dhe ia jep lexuesit për të vazhduar të njëjtën gjë.

“Poezi e fuqishme është ajo që e shtyn energjinë mendore të lexuesit të krijojë në imagjinatë pikturën e saj” (Z. Rrahmani). Dhe, falë kësaj magjie që posedon poezia, unë kam pikturën time të Moirës. E, besoj, jo vetëm unë.

“Asaj ia kam vjedhur vargjet”.

Kështu e ka titulluar librin Emin Z. Emini. Kuptimisht, titulli është një e pavërtetë, po që thotë një të vërtetë tjetër, jo vetëm artistike, por edhe  jetësore – të vërtetën se i vjedhuri është vetë poeti. I vjedhur deri në fund të shpirtit. Duke vazhduar aty ku e ka lënë Adem Gashi, se libri është si një dramë në katër akte, them se në këtë libër shoh ndjenjën, respektivisht shpërthimin e saj, me gjithë spontanitetin, me gjithë autonominë që gëzon, me gjithë kryeneçësinë, me gjithë pamundësinë për ta kontrolluar e menaxhuar:

“Edhe nëse i biri i ferrit do të jem/ Moirë/ Feja ime është dashuria;

“Para teje / gjithçka ishte e zbrazët/ As zbrazëtia nuk ekzistonte;

“Moire falë te qofte gjaku im”;

“Sa të dua / Moirë/ Sa/ As Zoti nuk e di”; Moirë / Bregu im”; Secili ka një ditë / unë ditë kam Moirën”

“E kam pasë zor / me t’shti në bojë pene/ e me gjetë germa drite për sytë tu”…

Në aktin vijues, të titulluar “Djegia”, shoh përballjen e unit lirik me ndjenjën.  Në këtë akt, në këtë përballje, bëhen dy veta: uni dhe ndjenja. Dhe aty ku bëhen dy ndodh drama, dmth konflikti. Edhe vetë titulli “Djegia” sugjeron produktin final të konfliktit, dhembjen, që vjen më vonë edhe si akt tjetër i librit, edhe si akt jetësor:

“S’kisha ç’të beja/ Ngrita duart lart/ U dorëzova / Si bima para ujit”; “Prej asaj nate / Flatron flamuri i pushtimit tonë / Moirë”; “Në shpirtin e saj / Kam shtëpinë / Vatrën e vdekjes kam”; “Për bimën tonë Moirë / Urnë gjelbëroshe duhet të bëhemi”;

Moirë

Ish’ tepër e bukur ajo ditë

Kur m’shitove

Ky akt është një shfaqje ku i shohim gjërat teksa digjen përgjatë konfliktit të pamëshirë, që kap një periudhë të gjatë, ku “katër stinët e vitit (…) veç dimër janë”.

Por a dhemb ajo që digjet dhe çfarë është ajo dhimbje?  Është një pyetje që merr përgjigje në Aktin e tretë, të titulluar “Dhimbja”.

Ajo është një dhimbje që poeti e do, sepse mu ajo dhimbje e ka sjellë në jetë si poet. Bile, edhe e ka bërë njeri, duke ia dhuruar ndjenjat.

“Sonte dua / vetëm ta ndiej lumturinë ta ndiej dhimbjen/ deri në fund.

Në aktin e tretë, ndjenja për Moirën rrit dozën:

Nuk ka

Pak dhe shumë

Këtë ilaç e helm duhet pirë me fund

Doza e tillë, në aktin e fundit të kësaj drame shpirtërore e poetike, shfaqet në përmasat që shpijnë shumë afër kufijve të një lloj tragjikeje:

Dhe jetojmë

Ti për mua që s’më ke

Unë për tjetër njeri që s’e kam

Dhe lutemi njëjtë

Te një tjetër zot

Që na bashkon a na ndan.

Për një fund dhe një fillim tjetër

Gjashtë vjet pasi ndodh kjo dramë, poeti sheh “nji fytyrë gruaje midis qielles e detit, vizatue prej djellit, e me t’kuqrremtën e zjarrmit prarue…”

Nuk duket lehtë në ka dalë nga ëndrra a nga aso botë reale që i krijon imagjinata, në është Zanë a çka është, në ka ardhur ta shpëtojë a ta shitojë, por një klithje dëgjohet qartë, klithje që përmban të gjitha ndjenjat që hyjnë e dalin në shpirtin e njeriut: ndjenjën e mahnitjes, të ngazëllimit, të lakmisë, të frikës nga ajo që lakmon, të trishtimit, të dhembjes, të humbjes, të fitores:

O zot

kapedanja

Dhe të gjitha këto ndjenja ka me i përjetuar kushdo që vazhdon ta shfletojë librin e radhës, “Fjalë të bukëta”, që hapet me fjalët e cituara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku, së…