Varroset babai i Bardhyl Mahmutit
Në varrezat e Tetovës i është dhënë lamtumira e fundit babait të veprimtarit Bardhyl Mahmuti, Beqir Berishës.
Beqir Berisha do të kujtohet me respekt si njeri i qëndresës, i dijes dhe i dinjitetit; si filozof, gazetar, autor dhe i burgosur politik, që jetën e tij e lidhi me lirinë dhe me idealin kombëtar shqiptar.
Me veprën e tij letrare dhe studimore, me qëndresën e tij morale dhe me përkushtimin ndaj fjalës së lirë, Beqir Berisha la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.
Librat e tij dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta, nga aktualiteti kulturor e politik e deri te kujtesa dokumentare e refleksionet filozofike, mbeten dëshmi e një jete të kaluar në shërbim të dijes, identitetit dhe dinjitetit kombëtar e njerëzor.

Ai ishte gjithashtu mbështetës i madh i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe i kauzës për ngadhënjimin e drejtësisë për gjenocidin e kryer nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Edhe në ditët e vështira të përballjes me sëmundjen, Beqir Berisha nuk iu nda librit dhe kërkimit të së vërtetës. Libri i fundit që lexoi ishte romani i të birit të tij, Bardhyl Mahmuti, “Revolta e Syzifit”, një vepër kushtuar krimit të gjenocidit në Poklek të Vjetër. Ky fakt e bën edhe më të veçantë kujtimin për të.




