Vasfije Krasniqi shkon në Holandë për të folur për viktimat e dhunës seksuale
Vasfije Krasniqi-Goodman, një nga zërat më të fuqishëm në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do të marrë pjesë në konferencën “Women, Peace and Security (WPS)” në Hagë, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.
Në këtë ngjarje ndërkombëtare pritet të marrin pjesë rreth 250 përfaqësues nga 25 shtete të ndryshme.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Krasniqi-Goodman përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se do të flasë për plagët e luftës, për heshtjen e imponuar ndër vite dhe për të vërtetën që, siç thotë ajo, bota shpesh ka zgjedhur ta anashkalojë.
“Do të flas për dhembjen që nuk plaket, për heshtjen që na është imponuar me vite, për një të vërtetë që bota shpesh ka zgjedhur ta anashkalojë.
Por nuk jam vetëm. Mbrapa meje qëndrojnë mijëra gra që nuk patën rastin të dëshmojnë. Qëndron Kosova, që ende pret drejtësi për krimet e kryera ndaj nesh”, ka shkruar ajo.
Krasniqi-Goodman ka theksuar se kërkesa e saj nuk është për mëshirë, por për drejtësi.
“Nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi. Kërkoj që dhuna seksuale të trajtohet si krim lufte, siç është. Kërkoj që askush më të mos jetojë me turpin që nuk i takon. Ky zë është plagë, por edhe forcë. Dhe sa herë që flas, e di se një padrejtësi po dridhet. Paqja nuk ndërtohet mbi heshtje. Pa drejtësi, nuk ka paqe. Për të gjitha ato që nuk patën mundësi të flasin – unë do të flas”, ka shtuar ajo.



