Vasha Tarentinë
André Cheniér (1762-1794)
Qani, alciona, edhe zi sot mbani,
Ju, zogj të Tetisit, alciona, qani!
Mirtoja jetovi, vasha Tarentinë,
Një gjemi e shpinte për në Kamarinë;
Atje dasma, këngët, fyejt me dollinë
Në shtëpinë e dhëndrit nusen do ma shpijnë.
Ja, për këtë ditë, brenda n’ark’ një çelës
Se ç’na paska mbyllur rrobën e martesës,
Dhe florinjt e gushës, byzylyk floriri,
Për leshrat e verdha myshkun nga më i miri.
Por në bash t’anijes, tek rrinte vetmuar
Dhe yjeve u lutej, era e tërbuar
E rrëmben, çuditet, lagur prej stërkalës,
Ulërin e bie mu në mes të valës.
Mu në mes të valës, vasha Tarentinë!
Atë shtat të bukur valët e përpijnë.
Përlotur, Tetisi, në një gufë shkrepi,
E fsheh mos ta gjejë ndonjë lubi deti;
Perri – nereidat i thërret të vinë
Dhe ato e marrin vashën Tarentinë,
Në zallishtë e shpien, atje butë – butë,
Në kep të zefirit lëshojn’ këtë sutë.
Dhe pastaj me kuje, nga janë e nga s’janë,
Nimfat nëpër pyje, nimfat anembanë,
Faqet duke çjerrë vën’ të gjitha vajnë,
“Mjera ti!” i thonë e rreth qivurit qajnë.
Mjera ti, të dhëndrit nuk shkove në derë,
Ti moj nuk e hodhe duvakun e mjerë;
Floriri i gushës ty, moj, s’të stolisi,
Myshku i kulluar flokët s’t’i ujisi!
Shqipëroi: Vedat Kokona



