
Vrasje tragjike në Volos: Shqiptari vret bashkëshorten në sy të fëmijëve
Detaje të tjera janë publikuar nga mediat greke në lidhje me ngjarjen e rëndë në Volos ku një burrë shqiptar vrau me thikë bashkëshorten e tij, po ashtu shqiptare.
Sipas informacioneve të mediave greke, ka qenë vajza që ka telefonuar emergjencën duke kërkuar ndihmë pasi babai i kishte sulmuar mamanë me thikë në apartamentin e tyre në rrugën Konstanta.
Policët që shkuan në vendin e ngjarjes e gjetën trupin e pajetë të gruas në hyrjen e ndërtesës me plagë në qafë dhe brinjë.
Pranë saj ishin tre fëmijët, dy vajzat 16 dhe 6 vjeçe dhe djali 13 vjeç.
Ajo kishte edhe një vajzë 18 vjeçe.
Sipas dëshmisë së tyre, prindërit kanë debatuar fuqishëm përgjatë gjithë mëngjesit.
Kur viktima 36-vjeçare u përpoq të largohej nga shtëpia, bashkëshorti e ndoqi dhe e goditi me thikë disa herë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, autori ka një të kaluar kriminale dhe me probleme psikike.
Në qershor të këtij viti, ai ishte dërguar në spitalin psikiatrik të Volosit për ekzaminim pasi kishte tentuar t’i jepte fund vetes. Doktorët thanë se ai kishte nevojë për shtrim dhe e detyruan të qëndronte në spital.
Në vitin 2019, ai ishte arrestuar dy herë për posedim të lëndëve narkotike.
Më herët, në 2018-ën, kishte qenë dënuar me një vit burg për dëshmi të rreme. Edhe në vitin 2013, ai është arrestuar për falsifikim dhe hyrje të paligjshme në Greqi.
Vrasja ka tronditur komunitetin e Volosit, teksa kërkimet për gjetjen e shqiptarit, i cili u arratis pas vrasjes, vijojnë ende.