
Vazhdimësia e arsimit shqiptar në Kosovë gjatë viteve të represionit (1989–1999)
Në vitin 1989, regjimi serb i udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë. Si rezultat, Kosova humbi të gjitha kompetencat legjislative dhe ekzekutive, përfshirë kontrollin mbi arsimin dhe institucionet arsimore. Vendimet për përmbajtjen e kurrikulave dhe për tekstet shkollore kaluan në duart e autoriteteve qendrore në Beograd.
Pasuan ndryshime të menjëhershme dhe të thella në përmbajtjen mësimore, veçanërisht në lëndë me rëndësi kulturore dhe identitare si historia, gjeografia, gjuha shqipe dhe muzika. Referencat për kulturën, letërsinë dhe historinë shqiptare u hoqën sistematikisht dhe u zëvendësuan me përmbajtje që promovonin kulturën serbe dhe identitetin sllav. Ky proces, i cili synonte fshirjen graduale të elementeve të identitetit kombëtar shqiptar nga mendësia e brezit të ri, konsiderohet nga studiues të të drejtave të njeriut si një formë e gjenocidit kulturor.
Në pranverën e vitit 1990, autoritetet serbe shkuan një hap më tej duke vendosur ndarjen etnike të shkollave në Kosovë. Sipas këtij vendimi, nxënësit serbë duhej të ndiqnin mësimin në orët e mëngjesit, ndërsa nxënësit shqiptarë pasdite, me justifikimin se prania e përbashkët shkaktonte ndjenja pasigurie te nxënësit serbë. Kjo solli ngarkesë të jashtëzakonshme në oraret e shkollave, pasi numri i nxënësve shqiptarë ishte dukshëm më i madh, duke shkaktuar mbingarkesë në ambientet shkollore dhe kushte të vështira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Në këtë kontekst, në cilësinë e profesorit në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë, isha pjesë e organizimit dhe mbajtjes së procesit mësimor në kushte alternative. Për më shumë se një vit, nxënësit u shpërndamë në shtëpi private të kthyer në klasa të improvizuara. Mësimi u zhvillua në ambientet e familjeve Zogaj (në pronësi të Skënder Zogajt, ish-kryetar i Komunës së Fushë Kosovës), të Bislim Zogajt dhe të tjerë në Fushë Kosovë; si dhe në fshatin Sllatinë, në shtëpitë e familjeve Shala (Hamdi Shala) dhe Breznica (Kadri Breznica).
Pas një viti, u zhvendosëm në shkollën fillore të fshatit Lismir, ku kati i dytë iu dedikua gjimnazit dhe kati i parë shkollës fillore. Sallat e arsimtarëve u shfrytëzuan në mënyrë të përbashkët. Gjatë kësaj kohe, një pjesë e madhe e fshatrave përreth ofruan shtëpitë e tyre për zhvillimin e mësimit, përfshirë edhe Grabocin e Poshtëm dhe shtëpinë time – babës, për një periudhë të shkurtër.
Banorët e Lismirit treguan mikpritje të jashtëzakonshme dhe ndihmë konkrete, edhe në aspektin material. Në mënyrë të veçantë, falënderimi u takon familjes Gojnovci – vëllezërit Ibush dhe Fehmi Gojnovci – si dhe familjes Tërnava e të tjerëve, për përkrahjen e vazhdueshme. Procesi mësimor në këto kushte të jashtëzakonshme vazhdoi deri më 12 qershor 1999, ditën e çlirimit të Kosovës.
Edhe pse kjo periudhë ishte tejet sfiduese, për ne nuk kishte vend për lodhje, sepse ndjenim se po kryenim një mision kombëtar. Vullneti dhe entuziazmi mbizotëronin mbi çdo vështirësi.
Më poshtë paraqiten disa fotografi që dokumentojnë vazhdimësinë e shkollës shqipe në periudhën më të vështirë të saj.
Ndihemi krenarë që ishim pjesë e kësaj periudhe liridashëse, që mishëron rezistencën kulturore dhe vullnetin për dije.
Me respekt Prof.Dr.Sc.Hysen Sogojeva