
Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë
Nga sulmet ruse ndaj Ukrainës gjatë natës së kaluar, një person u vra në rajonin verilindor, Kharkiv, ndërsa disa të tjerë u lënduan në qytetin verior, Chernihiv, thanë të martën zyrtarët rajonalë ukrainas.
Një ndërmarrje private u godit në qytezën Balakliia të rajonit të Kharkivit që kufizohet me Rusinë, duke lënë të vrarë një punonjës dhe duke lënduar disa të tjerë, tha kreu i administratës ushtarake të këtij vendbanimi, Vitali Karabanov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sulmet erdhën disa orë pasi delegacionet ruse e ukrainase u takuan në Turqi për bisedime të paqes, ku Moska tha se do të pajtohet për përfundimin e luftës, vetëm nëse Kievi heq dorë nga pjesë të mëdha territori dhe nëse i pranon kufizimet në madhësinë e ushtrisë ukrainase.
Dronët që ranë rrugëve dhe mbi ndërtesa banimi në qytetit Chernihiv shkaktuan disa zjarre, përfshirë disa në shtëpi banimi, tha Dmytro Bryzhynskyi, udhëheqës i administratës ushtarake në këtë qytet.
Sipas tij, katër persona u dërguan në spital. Shërbimi Emergjent Shtetëror tha se 20 njerëz të tjerë, përfshirë tetë fëmijë, pranuan asistencë mjekësore në vendin e ngjarjes.