
Vazhdon bllokada, Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 47-të
Për të 47-ën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish ka hedhur në votim Komisionin për votim të fshehtë, i cili nuk është duke u përkrahur nga partitë tjera, pos Vetëvendosjes.
Të pranishëm në sallë ishin 105 deputetë, prej tyre 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të obliguar të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit deri më 26 korrik më së largu.
Megjithatë, aktgjykimi i Kushtetueses nuk e ka qartësuar se çfarë do të ndodhë nëse nuk konstituohet Kuvendi.
Derisa Vetëvendosje është duke këmbëngulur që emri i Albulena Haxhiut të hidhet në votim për kryeparlamentare përmes votimit të fshehtë, partitë tjera po e janë duke e konsideruar kundërkushtetuese meqë në aktgjykim është thënë se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet sipas praktikave të deritanishme.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.