Vazhdon linçimi i gjyqtarëve të Kushtetueses nga anëtarët e VV-së
Deputeti i VV-së, Sali Zyba i ka linçuar me emra të përveçëm gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Zyba ka publikuar një pjesë, siç ka thënë nga statusi i Dejona Mihalit, e cila u zhduk nga facebooku pasi publikoi një postim ku linçoi gjyqtarët e Kushtetueses.
Ashtu si Mihali, edhe Zyba ka pretenduar se të gjithë gjyqtarët kanë lidhje me partitë e opozitës dhe Listën Serbe.
Zyba ka thënë se ata duan t’ia marrin të drejtën VV-së për të propozuar kryetarin e kuvendit.
“Sepse kur fitonte PDK me 27% e drejta i takonte gjithnjë fituesit. Kur fiton VETËVENDOSJE! natyrisht në 2020 i morën të drejtën e mandatarit, tani edhe pak, pas 30 ditësh do t’i marrin edhe të drejtën e kryetarit të Kuvendit. Kjo është e vërteta, të tjerat janë llafe për të mbuluar këtë fakt”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e së premtes ka thënë se deputetët e Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe se konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Emri i një kandidati, sipas vendimit, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.



