Vazhdon periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës

07 gusht 2025 | 12:27

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale.

Kjo periudhë, e cila ka filluar më 28 qershor do të përfundojë më 29 gusht 2025.

“Deri më sot (e enjte, 7 gusht, ora 09:00) përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org janë pranuar 1 748 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 1 581, ndërkaq janë refuzuar 167. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues. Ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës është në vullnetin e votuesve, në rastet kur e shohin të nevojshme, në mënyrë që ta caktojnë atë sa më afër vendbanimit të tyre”, ka njoftuar KQZ-ja.

Gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote do të mund ta verifikojnë/mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre: përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.

Ndërsa ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

Për të kaluar nga një qendër votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën “E-Kosova”.

Pas konfirmimit të ndryshimit të adresës nga Shërbimi i Gjendjes Civile, adresa e re reflektohet në Regjistrin Qendror Civil.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse Matthew McConaughey ishte pranë të luante rolin e…