Vazhdon polemika Rama – Vulin

07 tetor 2020 | 08:15

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi ditën e djeshme, se Ministria e Punëve të Jashtme ftoi ambasadorin e Serbisë në Tiranë për t’i dorëzuar një notë verbale, pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Rama tha se nuk do të tolerojë asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe.

“Ministria për Punët e Jashtme të Shqipërisë ka vazhduar më tutje procesin. Ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret, për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb, se asnjë gojë e shthurur në Qeverinë e Serbisë nuk mund ta lëndojë Qeverinë e Shqipërisë, apo figurën e një ministri apo kryeministri të Shqipërisë. Se po qe puna për mua, këto lloj fatkeqësish natyrore mua ma stimulojnë dellin e polemikës dhe nuk i kam problem. Një fatkeqësi natyrore nga Qeveria e Serbisë nuk e mbaj dot. Ta mbaj ai që e ka atje dhe t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë”, tha Rama.

Menjëherë pas kësaj, Vulin i bëri thirrje Ramës që t’i kërkojë falje Serbisë.

“Le të kërkojë falje Rama për Shtëpinë e Verdhë, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja”, tha Vulin në një deklaratë të botuar më 6 tetor në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai vlerësoi gjithashtu, siç e quajti, se “aksidenti që do të shkaktohej nga ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte aksidenti i të gjithëve në Ballkan dhe deklaroi se do të luftonte kundër.

Në muajin e fundit, gjashtë deklarata u botuan në faqen e internetit të Ministrisë Serbe të Mbrojtjes në të cilën Vulin i quajti ata “Shiptars”, duke injoruar vendimin e gjykatës në Serbi, sipas të cilit, termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”. “Për vendin e Esad Pashë Toptanit ka pak katastrofa më të mëdha se Rama, por kjo është çështje e Shqipërisë dhe katastrofa që një ‘Shqipëri e Madhe’ do të bënte në Ballkan është fatkeqësia e të gjithë neve që jetojmë në Ballkan, dhe kjo është arsyeja pse unë do të luftoj”, thotë deklarata e Ministrisë serbe të Mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Personat e parë me të cilët do të kenë kontakt…